Shirat në Lezhë, qindra hektarë tokë nën ujë
LEZHË- Shirat e rëna gjatë dy javëve të fundit në qarkun e Lezhës kanë lënë pasoja të rënda në tokat bujqësore. Që nga fillimi i reshjeve dhe deri më dje janë përmbytur dhe vazhdojnë të mbeten të përmbytura qindra hektarë tokë në komunat Kolsh, Shëngjin, Balldre, Zejmen e Fushë Kuqe. Për këto zona rreziku është në rritje në rast se vazhdojnë shirat me këtë intensitet. Të prekura nga përmbytjet janë edhe të mbjellat e fermerëve, të cilat vazhdojnë të jenë nën ujë, duke mos pasur asnjë shpresë për përmirësimin e situatës. Të paktën 200 hektarë me grurë dhe një sipërfaqe e madhe toke me perime dhe zarzavate të stinës rezultojnë të përmbytura, ndërsa dëmi përllogaritet të jetë i madh.
Që nga fillimi i reshjeve dy javë më parë, asnjë institucion vendor apo qendror nuk ka marrë asnjë masë për t'u ardhur në ndihmë këtyre fermerëve, duke e lënë gjithçka në mëshirë të fatit. Banorët, tokat e të cilëve ndodhen të zaptuara nga uji, ndjehen më se të indinjuar nga kjo harresë që u është bërë edhe pse kanë pasur premtimin se përmbytjet nuk do të jenë më të pranishme në Lezhë. Shumë prej banorëve të këtyre zonave janë të vetëpunësuar si fermerë, duke qenë edhe e ardhura e vetme për ta. Kjo situatë e krijuar ka bërë që humbjet të jenë të mëdha dhe në këtë mënyrë nuk sigurohen as kostot e prodhimit. Sipas këtyre fermerëve, asnjë kulturë bujqësore e cila rri nën ujë 14 ditë nuk mund të japë më prodhim sepse ato shkatërrohen plotësisht. Banorët ia vënë fajin kanaleve të mbyllura dhe të pahapura prej vitesh, pasi e gjithë kjo përmbytje është krijuar pikërisht prej tyre. Ata theksojnë faktin se kjo nuk është hera e parë që tokat e tyre mbulohen nga uji dhe për një gjë të tillë janë në dijeni të gjithë pushtetarët, por ka munguar ndërhyrja.
Situata në infrastrukturën rrugore të komunës Shëngjin në rrethin e Lezhës vazhdon të përkeqësohet. Rruga kryesore që lidh superstradën me qendrën e Shëngjinit është në një gjendje tepër të vështirë. Kjo për shkak të amortizimit të tejskajshëm dhe përmbytjeve të shkaktuara nga reshjet e ditëve të fundit. Situata nuk është e re për kalimtarët dhe drejtuesit e mjeteve, të cilët kanë parë dita ditës rrënimin e kësaj rruge. Segmenti në hyrje të rrugës së Kunes që lidhet më pas me qendrën e komunës është në gjendje të rëndë. Mjetet e ndryshme që janë të detyruara të udhëtojnë drejt Shëngjinit apo anasjelltas përjetojnë një ankth më vete, pasi rruga nuk duket aspak nga uji që qëndron në sipërfaqe. Kjo situatë ka penguar lëvizjen normale të shumë familjeve që jetojnë pranë kësaj rruge, të cilëve iu duhet të përdorin mjetet e transportit dhe ato rrethanore për të dalë nga ky "shtetrrethim". Të bindur që turizmi është fitimprurës shume biznese nuk sigurojnë më asnjë të ardhur pasi ndodhen pikërisht pranë këtij segmenti rrugor.