E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër, një prej grevistëve në spital

Fejzi Aliu është shtruar në reanimacion. Asnjë përgjigje nga qeveria për kërkesat e të dëmtuarve nga tragjedia

GJIROKASTËR- Për të tretën herë brenda katër ditësh, njëri prej grevistëve të urisë dërgohet me urgjencë për në spital. Në ditën e gjashtë, gjendja shëndetësore e banorëve që kërkojnë dëmshpërblim nga qeveria për pallatin e shembuar pak kohë më parë, është mjaft e rënduar, ndërsa gjasat për përfundimin e grevës janë të pakta. Ditën e hënë pritet edhe protesta e tyre, në të cilën janë të ftuar të marrin pjesë të gjithë banorët e Gjirokastrës.

Greva e urisë në të cilën janë ngujuar rreth 15 banorë të pallatit të shembur një muaj e gjysmë më parë ka hyrë sot në ditën e shtatë të saj. Me gjithë sakrificën mjaft të madhe të këtyre familjeve që humbën gjatë shembjes së pallatit të gjithë pasurinë e tyre, si morale ashtu edhe materiale, shanset për një përfundim të shpejtë të grevës së tyre janë të pakta. Kjo, pasi pas refuzimit të dëmshpërblimit që qeveria akordoi për 14 familjet, nuk ka pasur asnjë reagim tjetër zyrtar. Nga ana tjetër, grevistët shprehen të vendosur për t’u sakrifikuar, deri në plotësimin e kërkesës së vetme, atë të marrjes së dëmshpërblimit të plotë. Banorët vazhdojnë të qëndrojnë nën gërmadhat e pallatit dhe pamja që të ofron kjo grevë është vërtetë e mjeruar. Nën grumbullin gjigantë të mbetjeve urbane, në lagështirë të tejskajshme e ku era fryn nga të gjitha anët, të mbështjellë me batanije qëndrojnë grevistët e urisë. Në muret e plasaritura duken të shënuara fjalët “Kërkojmë të drejtën tonë” e “Duam dëmshpërblim të plotë”, ndërsa “dekorit” i shtohet një buqetë me lule, që banorët kanë vendosur në kujtim të tre fqinjave të tyre që tashmë nuk jetojnë më.

E me kalimin e ditëve, edhe gjendja shëndetësore e banorëve duket mjaft e rënduar, e stimuluar kjo edhe nga i ftohti i madh. Fejzi Aliu njëri prej grevistëve është dërguar me urgjencë për në spitalin rajonal “Omer Nishani”. Mjekët deklarojnë se ka shumë probleme në shëndetin e tij, por më shqetësues është tensioni i gjakut që është në nivele mjaft të larta. Për këtë arsye, ai do mbahet përgjatë natës në sallën e reanimacionit ku do të marrë mjekime. E njëjta tablo është edhe për grevistët e tjerë, të cilët gjithsesi vazhdojnë të rezistojnë. Autoambulanca dhe stafi mjekësor i vendosur në dispozicion shkojnë disa herë në ditë në mjedisin ku po zhvillohet greva dhe i trajtojnë për problemet që kanë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›