Gjirokastër, këshilltarët 1 rrogë për banorët e pastrehë
GJIROKASTER - Këshilli Bashkiak i Gjirokastrës u mblodh dje në një takim të jashtëzakonshëm, 1 javë pas shembjes së pallatit në lagjen "11 Janari". Por, i vetmi veprim që kanë ndërmarrë këshilltarët ishte miratimi i procedurës për akordimin e shumës prej 140 mijë lekësh, si ndihmë për 14 familjet e pallatit të shembur mesditën e 9 nëntorit. Ndërsa, në shenjë solidariteti 24 këshilltarët vendosën unanimisht që të dhurojnë rrogën e tyre 1 mujore për familjet e mbetura pa strehë. Shuma e parave u dha për familjet në ditën e dytë pas tragjedisë ku humbën jetën 3 persona, për ushqim dhe veshmbathje. Në çelje të mbledhjes së legjislativit lokal gjirokastrit, të zhvilluar në orët e para të mbrëmjes së të hënës, kreu i këshilltarëve të PD-së, Bexhet Çobani, ka ripërsëritur qëndrimin e tij për dorëheqjen e kreut të Bashkisë së Gjirokastrës Flamur Bime. "Ne këshilltarët demokratë kërkojmë që zoti Bime të reflektojë dhe të kryejë minimalisht dorëheqjen nga posti i Kryetarit të Bashkisë si një gjest moral në funksion të papërgjegjshmërisë me pasoja fatale", është shprehur zoti Çobani. Ai e ka akuzuar direkt Bimen se "monopoli i ndërtimeve i koncentruar në duart e tij përmes rrethit të ngushtë familjar, lejet e korruptuara, të pastudiuara emërimet politike në detyra funksionale me rëndësi jetike dhe injorimi i mendimit të specialistëve përkatës, janë vazhdimësi e politikës së ndjekur nga kryebashkiaku gjirokastrit". Kësaj deklarate, i është kundërpërgjigjur homologu socialist Florijan Hysi, duke e ftuar Çobanin apo dhe këshilltarët e tjerë që mund të kenë pretendime, t'i drejtohen organeve të drejtësisë pasi në këtë mënyrë kontributi i tyre për zbardhjen e së vërtetës do të jetë i çmueshëm. Pasi janë njohur nga kreu i Bashkisë Flamur Bime rreth procedurave që janë ndjekur në ditët e para të tragjedisë, ndihmat e dhëna te familjet fatkeqe, këshilltarët kanë miratuar unanimisht akordimin e shumës emergjente prej 1.4 milionë lekësh dhënë një ditë pas tragjedisë. Vetë banorët e pallatit kanë kërkuar nga pushteti vendor e ai qendror që të mos u ndajnë apartamente, por t'u japin para si dëmshpërblim, për t'i menaxhuar vetë ato.