"I zhdukuri" tenton të grabisë
VLORE - Një 15-vjeçar i denoncuar si i zhdukur prej disa ditësh nga familjarët e tij, është identifikuar si autor i një tentative grabitjeje me armë. Mbrëmjen e së dielës, në fshatin Hysoverdhë në banesën e A.K., është futur i armatosur i mituri me inicialet L.K., nga fshati Kote. Nën kërcënimin e armës ai i ka kërkuar të zonjës së shtëpisë t'i jepte të gjitha paratë, që i gjendeshin në shtëpi. Por pasi nuk ia ka arritur dot qëllimit të tij, 15-vjeçari ka qëlluar dy herë në ajër me breshëri automatike dhe më pas është larguar. Policia mbërriti pas sinjalizimit në vendngjarje. Gruaja që bëri edhe kallëzimin deponoi se e kishte njohur djalin, duke dhënë edhe emrin e tij. Pas verifikimit, rezultoi se familja e tij prej datës 14 nëntor e kishte deklaruar atë të zhdukur. Ai u arrestua në orët e vona të ditës së djeshme. q.b