E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tryeza e partive të vogla: Jo këtij Kodi Zgjedhor

 

Aristir Lumezi
"Të rishikohet draft Kodi Zgjedhor i servirur nga PS dhe PD. Partitë e vogla parlamentare u mblodhën dje në mesditë në një tryezë të përbashkët për të marrë një qëndrim të unifikuar ndaj kodit që dy partitë kryesore, Partia Demokratike dhe Partia Socialiste kanë përgatitur për miratim në Kuvend. Të solidarizuar edhe nga greva e 10 deputetëve të ngujuar në grevën e urisë, përfaqësues të LSI, PDK, PS '91, PBDNJ, PAD, PDS ishin në një mendje, se Kodi i ri Zgjedhor u heq atyre të drejtën e administrimit të votës së dhënë nga shqiptarët. Si partitë e majta, ashtu dhe të djathtat, kërkuan gjatë tryezës rishikimin e kodit. PBDNJ mësohet të ketë qenë më kritike ndaj këtij drafti, duke u shprehur se nuk do të pranojë një kod që i jep fitoren në tavolinë dy partive të mëdha dhe eliminimin e partive të vogla.
Përfaqësuesit e 6 partive të vogla parlamentare lëshuan një deklaratë pas një takimi gjatë paradites së të hënës, ku nënvizojnë se vendi ndodhet në krizë dhe se përpjekjet e tyre për të ndryshuar Kodin Zgjedhor dhe mbrojtur votën, siç shprehen ata, do të vijojë. Ata bëjnë dhe njëherë publike propozimet për daljen nga kriza. "Ne kemi qenë të hapur për të dyja, qoftë për një përbërje tërësisht teknike të komisionit të administrimit të votës, qoftë për një përbërje partiake gjithëpërfshirëse në nivel parlamentar", ka deklaruar sekretari i përgjithshëm i LSI, Petrit Vasili. Sipas sekretarit të përgjithshëm të LSI-së, "partitë e mbledhura sot janë parti që kanë bërë të qartë, të hapur dhe publik qëndrimin e tyre kundër këtij Kodi Zgjedhor, për procedimin e të cilit është vepruar në mënyrë plotësisht jotransperente dhe në një proces tërësisht të mbyllur". "Të gjitha partitë e mbledhura konkluduan që vendi ndodhet në një krizë shumë të rëndë politike. Ne jemi të gjithë shumë të motivuar, për të punuar që kjo krizë të evitohet dhe të mos thellohet më tej. Dy propozimet konkrete, të cilat janë shumë të qarta edhe në letrën që deputetët e ngujuar në grevë, i kanë bërë drejtuesve më të lartë të shtetit dhe trupit diplomatik, janë propozime, të cilat krijojnë mundësi të plota për ta zgjidhur atë", tha Vasili. Kjo është hera e parë që shumica e partive të vogla të të dy krahëve të politikës mblidhen në një tryezë të përbashkët për një çështje me interesa të njëjta, siç është Kodi Zgjedhor dhe numërimi i votës në zgjedhje. Deri më sot ato kanë qenë të grupuara në kampet respektive majtas dhe djathtas pranë dy partive të mëdha. Por tashmë ato ndjehen të kërcënuara pikërisht nga partitë me të cilat kanë bashkëpunuar në zgjedhjet e mëparshme. Sipas sekretarit të Përgjithshëm të LSI-së, të gjitha partitë bënë publike faktin që "Partia Demokratike dhe Partia Socialiste do të vazhdojnë me arrogancë dhe me këmbëngulje në këtë rrugë, për të miratuar një Kod të tillë, i cili legjitimon tjetërsimin e votës, pra shkul themelin e demokracisë dhe të funksionimit të një shteti demokratik. Greva e deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë do të vazhdojë, protestat tona përpara Parlamentit do të fuqizohen dhe do të zgjerohen. Ndërkohë, kjo protestë e madhe popullore do të zgjerohet dhe do të shtrihet në mbarë vendin". "Ne kemi kërkuar dhe kërkojmë, që përfundimisht Shqipëria të ketë zgjedhje me standarde ndërkombëtare dhe evropiane dhe nuk do të heqim kurrë dorë nga kërkesa për të patur këto zgjedhje, si hapin e vetëm të mundshëm për të patur një shtet demokratik dhe për të patur demokraci të vërtetë në Shqipëri. Ne do të kërkojmë që Kodi Zgjedhor, që duhet të miratohet të përmbushë standardet, as më shumë e as më pak se sa të Kartës së OSBE-së", tha Vasili.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›