Gjirokastër, lë qelinë ish-sekretarja e KRRT-së së bashkisë
Gjykata e Lartë vendos të nxjerrë nga burgu një nga personat e arrestuar për shembjen e pallatit pesëkatësh në Gjirokastër për 9 nëntor 2009. Ish-sekretaria e KRRT-së pranë Bashkisë së Gjirokastrës, Afërdita Papamihali, e cila u ndalua më 10 nëntor ka lënë qelinë prej tri ditësh dhe ndodhet në arrest shtëpie. Burime zyrtare nga Prokuroria e Gjirokastrës, pohuan dje se Gjykata e Lartë në Tiranë ka vendosur që punonjësja e Bashkisë së Gjirokastrës, Afërdita Papamihali, që akuzohet nga prokuroria për kryerjen e veprës penale të "shpërdorimit të detyrës", të hetohet nga nën masën e sigurisë "arrest shtëpie". Vendimi zyrtar i formës së prerë është marrë në një seancë gjyqësore të zhvilluar të premten nga Gjykata e Lartë. Në këtë seancë është gjykuar kërkesa e mbrojtjes mbi ndryshimin e masës së arrestit të dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Gjirokastrës. Kërkesa e mbrojtjes është bazuar në skadimin e afateve të hetimit dhe ish-sekretarja e KRRT-së pranë Bashkisë së Gjirokastrës është rikthyer në banesën e saj. Por sipas burimeve nga Gjykata e Lartë, çështja penale në ngarkim të saj për "shpërdorim detyre" nuk do të pushohet. Nga hetimet e deritanishme është arritur në përfundimin se pallati pesëkatësh i ngritur në një kodër në lagjen "11 Janari", u shemb për shkak të punimeve për hapjen e themeleve dhe ndërtimin e një godine të re shumë pranë tij.
Fillimisht për këtë ngjarje janë ndaluar dhe arrestuar nëntë persona, por më pas për dy shtetas është pushuar çështja, për dy të tjerë është marrë vendimi për gjykimin në gjendje të lirë dhe tani së fundi është marrë vendimi për të hetuar në "arrest shtëpie" një prej të arrestuarve për ngjarjen e bujshme të 9 nëntorit të vitit të kaluar në Gjirokastër.