E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia çaktivizon një çantë bombë

Policia ka arritur të çaktivizojë një çantë bombë dje paradite në Shëngjin. Bomba me celular e përbërë nga rreth 4 kilogramë lëndë eksplozive u gjet në mëngjes herët nga Eduard Cini, pronari i një lokali në Shëngjin. Çanta bombë ishte vendosur jashtë lokalit që ndodhet anës rrugës nacionale Lezhë-Shëngjin. Pronari i lokalit ka vënë re çantën e dyshimtë dhe kur është afruar dhe ka parë se pranë saj ndodhej një telefon celular ka dhënë alarmin për bombë. Në vendngjarje kanë shkuar forcat e Komisariatit të Policisë së Lezhës, të cilat kanë rrethuar zonën. Ekspertët e policisë së Lezhës, pasi kanë këqyrur çantën kanë përforcuar dyshimet se bëhej fjalë për një bombë me telekomandë, ndaj kanë kërkuar menjëherë ndihmë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Ndërkohë, është bërë evakuimi i zonës dhe është pezulluar qarkullimi në rrugën Lezhë-Shëngjin. Pak minuta pas thirrjes për ndihmë, nga Tirana u nis drejt vendit të ngjarjes një skuadër e specializuar për lëndët plasëse. Nuk u desh shumë kohë që skuadra e specialistëve të çaktivizonte bombën dhe të shmangte rrezikun. Pas çaktivizimit, sasia e eksplozivit, që deklarohet se është rreth 4 kilogramë u dërgua në laboratorët e Ministrisë së Brendshme për analiza. Ekspertët thanë më vonë se bëhej fjalë për tritol dhe se në rast shpërthimi dëmtimet do të kishin qenë të mëdha jo vetëm në lokalin që ishte shënjestër e sulmit, por edhe në ndërtesat përreth. Ndërkohë, ekspertët e policisë kanë arritur të mbledhin disa gjurmë gishtash të mbetura në çantë, në celular dhe në kallëpet e tritolit. Në orët e mesditës së djeshme, policia e Lezhës shoqëroi pesë persona të cilët dyshohet se kanë lidhje me vendosjen e eksplozivit, por deri në mbrëmje nuk u ngrit asnjë akuzë. Nga ana tjetër, pronari i lokalit ku ishte vendosur çanta-bombë ka deklaruar në polici se nuk kishte probleme me askënd.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›