Shkodër, Heronjtë e Vigut futen në magazinë
Nga qendra e qytetit, 5 Heronjtë e Vigut përfundojnë në një magazine derisa atyre t‘u bëhet një vend në varrezat e dëshmorëve. Sipas burimeve nga Bashkia e Shkodrës, aktualisht monumenti i pesë heronjve ndodhet në një magazinë, pasi aktualisht është duke u bërë një piedestal te varrezat e dëshmorëve ku dhe do vendoset monumenti. Vendi kur dikur qëndronin Pesë Heronjtë është kthyer tashmë në një grumbull inertesh. Bazamenti i monumentit i përbërë nga blloqe të mëdha guri ka zënë gjithë hapësirën e gjelbër të sheshit duke të krijuar përshtypjen e një gërmadhe apo prishjen e një ndërtimi pa leje. Ndërkohë, qytetarët e Shkodrës duken të indinjuar në lidhje me këtë veprim të këshillit bashkiak. Vendimi për heqjen e monumentit të Pesë Heronjve të Vigut u mor nga Këshilli Bashkiak i Shkodrës dy muaj më parë, kur me shumicë votash u vendos që në vend të monumentit të ndërtohet një shatërvan, në zbatim të projektit për planin rregullues të qendrës së qytetit. Heqja e monumentit nuk ka kaluar në heshtje as nga forcat politike në qytet. Drejtues të Partisë Socialiste e kanë quajtur si një veprim të ulët, të turpshëm dhe aspak të justifikuar. Sipas drejtuesve të PS-së në Shkodër, veprimi në fjalë shkatërroi një pjesë të historisë së popullit shqiptar. Ndërkohë, te varrezat e dëshmorëve, ku do të vendoset monumenti i Pesë Heronjve, Bashkia e Shkodrës ka vendosur një platformë betoni të gjerë që do të shërbejë si piedestal. Por pavarësisht kësaj, një problem më vete është situata aktuale në varrezat e dëshmorëve, ku nuk prehen vetëm partizanë, por edhe personalitete të kulturës si: Migjeni, Ndre Mjeda, Pashko Vasa etj. Pranë varreve të tyre digjen mbeturinat e qytetit.