E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjirokastër, në shumicën e lagjeve mungojnë kanalizimet e ujërave të zeza

Një pjesë e mirë e lagjeve të qytetit të Gjirokastrës nuk kanë rrjet kanalizimesh për ujërat e zeza, ndërsa në ato zona ku ekziston ai është tejet i amortizuar. Në lagjet Dunavat, Manalat, Zinxhira dhe në lagjen e re që po ngrihet pranë zonës së Gërhotit nuk ka pasur asnjëherë rrjet kanalizimesh dhe operohet vetëm me gropa septike. Por edhe ato zona që e kanë këtë rrjet prej dhjetëra vitesh nuk ka pasur ndërhyrje apo investime. Më e rënduar gjendja duket në lagjet e poshtme të qytetit, ku vazhdimisht në pjesë të ndryshme ndodhin shpërthime të ujërave të zeza. Por, përveç faktit se kjo çështje përbën një problem mjaft shqetësues, me afrimin e stinës së nxehtë komplikohet edhe më tej në prag të stinës së nxehtë. Ndërkaq, drejtues të Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve në Gjirokastër, megjithëse kanë gati projektet janë të pafuqishëm për përmirësimin e situatës, për shkak të mungesës së fondeve. Asnjëherë nuk ka pasur investime në linjat e kanalizimeve, ndërsa në të dy krahët e qytetit nuk ka rrjet. Kemi gati një sërë projektesh për të ndërhyrë, por që e kemi të pamundur për shkak të mungesës së fondeve, shprehet drejtori i këtij institucioni, Dasho Qeli. Si rrjeti i kanalizimeve ashtu edhe ai shpërndarës i ujit të pijshëm në qytetin e Gjirokastrës janë tejet të amortizuar megjithëse para pesë viteve qeveria e atëhershme investoi 5 milionë euro për përmirësimin e rrjetit shpërndarës së ujit të pijshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›