Gjurmët tradhtojnë pronarin e drogës

Burimet zyrtare të policisë së kryeqytetit thanë se në orët e para të mëngjesit të djeshëm bënë ndalimin e 38-vjeçarit Çaçi. Ndalimi i tij u bë pasi Prokuroria për Krimet e Rënda, që në dhjetor të vitit 2006, ka regjistruar procedimin penal në ngarkim të Vladimir Tusunit.
Por, Tusuni është dyshuar që atëherë se kishte pasur bashkëpunëtor. Kështu, rezulton se gjurmët e gjetura në mjetin me targë GJ9014A, ku u gjet sasia e lëndës narkotike, i përkasin Edmond Çaçit.
Në dosjen penale është përshkruar se strukturat e sektorit të luftës kundër drogës në Drejtorinë e Policisë të Gjirokastrës, gjatë mbrëmjes së datës 16 dhjetor të vitit 2006, rreth orës 18:00, kanë bërë të mundur sekuestrimin e një sasie prej 211 kilogramë lënde narkotike, që ishte e llojit marijuanë.
Sasia e kapur ishte e paketuar dhe e futur në gjashtë çanta dhe pjesa tjetër nëpër nëntë thasë. Kapja e kësaj sasie lënde narkotike u bë e mundur pasi policia u vu në ndjekje të një automjeti tip “Opel”, me targa GJ9014A, në aksin rrugor Kthesa e Libohovës–Suhë.
Duke përfituar nga errësira, dy personat që ndodheshin brenda në automjet, për t`i shpëtuar kapjes nga policia, e kanë braktisur mjetin dhe janë larguar në drejtim të fushës së Libohovës.
Sidoqoftë, nga ana e policisë është bërë e mundur që të identifikohet njeri prej këtyre dy shtetasve, pikërisht Edmond Çaçi, lindur dhe banues në Libohovë.
Në vazhdim të ndjekjes së këtyre dy personave, policia arriti të kapë dhe të arrestojë pronarin e automjetit, i cili është Vladimir Tosuni, edhe ai banues në Libohovë.
Mbi të dy personat, tashmë të arrestuar, rëndon akuza e veprës penale të trafikimit të lëndëve narkotike. Nga hetimet ka rezultuar se ngjarja në fjalë nuk kufizohet vetëm me dy personat në automjet, por kemi të bëjmë me një rrjet trafikantësh, ku janë të përfshirë edhe një numër i konsiderueshëm personash të tjerë.
Policia po vazhdon hetimet për të bërë zbardhjen e plotë të kësaj veprimtarie. Pavarësisht se policia e kishte identifikuar Çaçin prej kohësh, nuk kishte prova për kapjen e tij.
Por pas një sërë ekspertizash ka rezultuar se gjurmët e tij ishin në lëndën narkotike të sekuestruar, kështu që me prova shkencore ka dalë edhe urdhri i arrestit. Megjithatë, pas kësaj ngjarje ai kishte humbur gjurmët, derisa dje u kap në Tiranë.