Gjirokastër, policia lë fshatrat pa ujë
Ndëshkim kolektiv të gjithë zonës për të parandaluar kultivimin e hashashit nga banorët e Lazaratit
GJIROKASTËR- Banorë të lagjes Kordhocë në fshatin Lazarat akuzojnë policinë se me veprimet e tyre po bllokon aktivitetin e përditshëm. Sipas tyre, ndërprerja e lidhjeve të ujit është një ndëshkim i pamerituar, koston e së cilës po e paguajnë çdo ditë dhe kërkojnë zgjidhje të menjëhershme, në mënyrë që të shmangin vetëgjyqësinë. Për të parandaluar ujitjen e hashashit, policia ndëshkon në mënyrë kolektive të gjithë zonën.
Balil Gjini, së bashku me dy djemtë e tij kanë një lavazh në anë të rrugës nacionale Gjirokastër- Kakavijë por ata ankohen se policia iu ka ndërprerë të gjitha lidhjet e ujit dhe në këtë mënyrë nuk munden të punojnë. "Ka kaq shumë ditë që policia nuk na lë të punojmë. Lidhjet e ujit që i kam vendosur nga shtëpia deri këtu, ku marr ujë se nuk mund t'i laj tapetet me ujin nga lumi. Tre herë i kanë prerë dhe nuk na japin asnjë shpjegim; ik pyesni drejtorin thonë. Na duket vetja sikur jemi në shtetrrethim. Me këtë biznes të vogël ushqehemi shtatë vetë familjarisht, ndryshe si do të jetojmë? Të gjitha bizneset që fillojnë këtu në Kordhocë e deri afër Dervicianit janë pa ujë dhe askush nuk do t'ia dijë për ne. Duhet që të marrin menjëherë masa, sepse gjendja do shkojë më keq, se ne nuk do lejojmë që punën që e kemi ngritur me mund të na i prishin kot, pa asnjë shpjegim dhe arsye",- shprehet Balil Gjini.
Ndërkaq, një tjetër banor i zonës së Kordhocës ankohet se mungesa e ujit i ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në vreshta. Pertef Gjini shprehet se tani që priste të merrte prodhimet, gjithçka po thahet. "Kam marrë tetë milionë lekë kredi në bankë për të ngritur këtë vresht, e kam ngritur me gjak, jo vetëm me djersë. Paguaj 160 mijë lekë çdo muaj dhe shikojeni se si është katandisur, po thahet i gjithi, se nuk na lënë ta vadisim. Nuk mund të ndëshkohemi kot dhe pa asnjë arsye; inspektori i policisë së zonës le të vijë dhe të shikojë se ku shkojnë tubat e ujit, pastaj le t'i presin. Nëse uji përdorët për gjëra të paligjshme le ta presin dhe të marrin masa. Nuk bëhet kështu, vetëm na thonë se sa herë t'i lidhim aq herë do na i presin. Dje kemi pasur probleme me policinë; nëse do ndërhyjnë përsëri për të na prerë ujin, gjendja do acarohet shumë, ndaj duhet të zgjidhet ky problem. Mjaft kemi duruar, ne nuk jemi kriminelë, ndryshe do ta zgjidhim vetë këtë gjë",- vijon më tej Pertef Gjini.
Nga ana tjetër, burime nga policia e Gjirokastrës bëjnë të ditur se prerja e tubave të ujit vjen në vazhdën e një sërë masash të ndërmarra për eliminimin e fenomenit të kultivimit të bimëve narkotike në këtë fshat. Ndërprerja e tubacioneve si dhe bllokimi i autoboteve me ujë dhe automjeteve me pleh janë një sërë nismash të ndërmarra gjatë këtij viti, ndërsa rruga nacionale në zonën e Kordhocës është vazhdimisht e mbikëqyrur nga uniformat blu.