Qeveria të rishikojë pensionet suplementare
SINDIKATA E POLICISË
Kryetari i Sindikatës së Policisë, Sadetin Fishta, ngre shqetësimin për pagesën dhe shpërblimet financiare të bluve
TIRANË- Kryetari i Sindikatës së punonjësve të Policisë së Shtetit, Sadetin Fishta, ka kërkuar dje që qeveria të marrë masa urgjente për trajtim të veçantë financiar të punonjësve të policisë pasi pagat i janë rritur të gjithë administratës përveç uniformave blu. Madje sipas tij, Policia e Shtetit është e vetmja strukturë e administratës që punon më tepër se 40 orë në javë nga sa ua përcakton Kodi i Punës. Një tjetër kërkesë e rëndësishme e sindikatës është realizimi i kontratave të sigurimit jetës të punonjësve të policisë, sipas vështirësive dhe riskut që ka gjithsecili prej sektorëve. Nisur dhe nga ngjarja tragjike e vrasjes së katër punonjësve të policisë, Fishta ka pohuar se ata kanë nevojë që të pajisen me mjete mbrojtëse si antiplumb, jelekë, kaska dhe armë të reja.
Z. Fishta si e shikoni ju aktualisht në tërësi gjendjen e punonjësve të Policisë, nisur edhe nga rasti i vrasjes së katër kolegëve tuaj në krye të detyrës ?
Ne i kemi shprehur edhe më parë ngushëllimet për familjet dhe të afërmit e katër kolegëve të rënë në krye të detyrës në operacionin për arrestimin e një personi të kërkuar. Kjo ka qenë një ngjarje e rëndë për të cilën tashmë po kryhet një hetim nga strukturat e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Por duke u nisur edhe nga ky rast, duhet të themi se si në aspektin profesional ashtu edhe në atë social ekonomik efektivët e policisë nuk kanë qenë të vlerësuar nga shteti, në nivelin që e kërkon koha.
Përse ka ndodhur kjo sipas jush ?
Sot për të përballuar detyrat e vështira që i ngarkohen policisë, nuk mjaftojnë vetëm reformat strukturore. As edhe rritja e nivelit profesional të punonjësve të policisë nëpërmjet trajnimeve me kurse. Këto reforma duhet të mbështeten me bazë logjistike të fuqishme, që i mungon policisë në shumë aspekte. Ashtu edhe në trajtimin e saj edhe nga ana financiare e sociale pasi niveli i pagave të punonjësve të policisë dhe shpërblimi i tyre nuk është në nivele të kërkuara. Po kështu trajtimi ushqimor nuk është i siguruar, ashtu si edhe baza logjistike e cila lë shumë për të dëshiruar
Ju folët për kushte financiare dhe ekonomiko sociale, cilët janë problemet dhe në ç'nivel shikohet të jetë policia sipas jush ?
Sa i përket trajtimit financiar pa marrë parasysh nivelin e pagave të përcaktuar me vendim qeverie, pagat e gradave të nivelit zbatues, duhen riparë pasi janë mjaft të ulëta. Kjo sepse polici e nis karrierën e tij me 31 mijë lekë të reja në muaj. Këto janë të pamjaftueshme për përballimin e jetesës së një personi dhe sidomos një punonjësi policie në vendin tonë. Po ashtu, krahasuar me vendet e tjera rreth e qark nesh që nga Mali i Zi, Maqedonia e deri në Kosovë, shtete që janë krijuar shumë pas nesh, niveli financiar i punonjësve të policisë është më i lartë. Gjithashtu edhe disa trajtime financiare të përcaktuara në ligj që në 2007, nuk i janë dhënë Policisë, si shpërblime deri në një pagë, të cilin ligji i Policisë e njeh si masë. Shpërblimi për vjetërsi në punë, për kohën që është punësuar si punonjës policie. Qeveria me një vendim të veçantë, i njeh si vjetërsi vetëm kohën e dhënies së gradave të reja në korrik të vitit 2008. Kjo njohje që nga kjo kohë mendoj se është e padrejtë dhe në mënyrë absurde.
A keni kërkuar nëpërmjet strukturave përkatëse një gjë të tillë ?
Mohimi i kësaj të drejte është i jashtëligjshëm dhe i padrejtë, sepse kjo është e njohur në Kodin e Punës. Dhe sipas vjetërsisë secili fiton një përqindje të caktuar që i takon dhe këtë e kanë të tërë punonjësit e administratës nga një për qind në vit deri në 20 për qind në bazë të vjetërsisë. Ndërkaq, në ligjin e Policisë së Shtetit, thuhet se në raste të rritjes së pagave të administratës, policia duhet të trajtohet në përparësi. Por kjo përparësi asnjëherë nuk është parë. Sektorëve të veçantë iu është rritur shumë herë më shumë se policisë ndërsa ajo ka qenë në tabelë nga fundi. Madje në një rast rritjeje të administratës, policia as nuk është përmendur, në një rast kur pati një rritje 20 për qind. Ne do të kërkojmë nga qeveria dhe Ministria e Brendshme që kjo mënyrë pagese të rishikohet dhe në mënyrë të veçantë për punonjësit e nivelit zbatues të cilët kanë edhe pagën më të ulët. Duhet thënë se ka gjithashtu një hendek të madh mes pagave për gradë nga ajo e inspektorit, kryeinspektorit e deri tek komisari me pagën e kryekomisarit. Nga komisari deri tek kryekomisari ka një hendek prej rreth 25 mijë lekësh të reja diferencë, e cila duhet ngushtuar në favor të gradës më të ulët.
Ju keni përsëritur dhe policia ka pasur shpesh problem pagesën e orëve jashtë orarit. A ka ndryshuar ky problem ?
Mund të them se ende jo. Sot në veçanti problematika, tek punonjësit e policisë është trajtimi financiar i tyre mbi kohën e punës nga ana e tyre. Me dhjetëra janë orët e punës së punonjësve të policisë që kryejnë mbi 40 orë në javë. Në veçanti sektori i policimit në komunitet. Ky është më problematik, për shkak se kanë për të kryer veprime të ndryshme si verifikime kontrolle etj. Ky sektor përdoret pa kriter, por sigurisht ka edhe sektorë të tjerë, si ata të Hetimit të Krimeve, policia rrugore, FNSH-të, për shërbime mbi 40 orë, që janë të papaguara dhe të pazëvendësueshme me pushime. Kjo pasi atyre iu takon, por dhe shkaktojnë lodhje deri në gjendje stresuese të punonjësve të policisë që në raste të ndryshme pasqyrohet në komunikimin me qytetarët. Po kështu nuk mund të lëmë pa përmendur edhe pagesat e orëve të natës të cilat kalojnë afatet nga 3 deri në 6 muaj për marrjen e tyre.
A mund të konsiderohet i zgjidhur problemi i trajtimit me ushqim të punonjësve të policisë?
Ky është një problem tjetër që kanë sot punonjësit e policisë. Megjithëse është dhënë prej kohësh me vendim qeverie kjo e drejtë një pjesë punonjësve të policisë kryesisht në komisariate, për shkaqe financiare, ata nuk e kanë përfituar këtë normë. Kjo pasi është një detyrim i punëdhënësit për një vakt dreke për punonjësit e tij. Kjo normë është është përcaktuar nga Ministria e Shëndetësisë. Sektorë të veçantë që kanë të bëjnë me shërbime në qytetet duhet të trajtohen me ushqime antidotë, kundër helmimeve. Në një urdhër të ministrit të Brendshëm, është veçuar që në ato vende ku nuk ka mundësi të krijohet një mensë, t'iu jepen para në dorë.
Nga gjithë këto probleme që ju shtruat, a keni nisur të negocioni apo të kërkoni nga qeveria krerët e Policisë apo Ministria plotësimin e tyre ?
Nga këto probleme një pjesë e tyre janë përcaktuar edhe në kontratën kolektive të punës për t'u zbatuar, Sindikata në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme ka ngritur grupe pune, për të eliminuar një pjesë të këtyre problemeve. Ne kemi përgatitur një kërkesë për lidhjen e kontratës së sigurimit të jetës së punonjësve të policisë. Në të mendohet që primi i sigurimit të variojë nga një taban dhe shkalla e rritjes të jetë në përputhje me rriskimin që kanë sipas sektorëve. Jemi në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ligjin e sigurimit suplementar që prek nga ana sociale 3500 punonjës në pension.
Ky ligj jo vetëm i përgjysmon pensionet, por me fuqi prapavepruese i është ndërprerë paga kalimtare një pjese të tyre. Ky ligj ka mbërritur në Gjykatën kushtetuese pasi kanë kaluar 24 muaj nga ligji. Ndërsa pjesës tjetër i është zbritur nën nivelin minimal të dy pagave të pensionit bazë. Shpresojmë që gjykata Kushtetuese, dhe qeveria e ardhshme ta rishikojnë këtë ligj si antikushtetues për ta përmirësuar në nivelin e ligjit të mëparshëm të punonjësve të policisë. Në të kundërt, ne do ta çojmë në Strasburg. Sepse ne kemi konventa të firmosura nga shteti. Kjo pasi një e drejtë e fituar me ligj, nuk mund t'i hiqet kategorisë.
Ju thatë në fillim se mjetet logjistike dhe pajisje të tjera janë të nevojshme për t'u ndryshuar me urgjencë. Pse?
Kur flasim për bazën logjistike kuptojmë në veçanti, pajisjen e policisë me uniforma të reja (Kohët e fundit është pezulluar edhe fondi për uniformat e reja), si dhe baza materiale teknike, me të cilën duhet të pajisen punonjësit e policisë duke filluar nga armatimi, që lë shumë për të dëshiruar. Akoma përdoren pistoleta të vitit 56 dhe zëvendësimi me të reja me standarde të BE-së dhe të gjitha pajisjeve të tjera që janë të parashikuara në ligj dhe në rregulloren e shërbimit për pajisjen personale dhe kolektive që duhet të kenë forcat e ruajtjes së rendit.
Sa i përket uniformave prej disa vitesh punonjësit e policisë kanë vetëm një uniformë dhe asaj i ka dalë boja etj. Pa përsëritur këtu kushtet brenda komisariateve, ku punonjësit e policisë nuk kanë një gardërobë apo dhoma zhveshjeje. Kjo bën që policët janë të detyruar të vijnë me uniformë dhe të shkojnë me uniformë në shtëpi. Aktualisht në asnjë komisariat të vendit nuk ka standarde të tilla dhe policët janë të detyruar ta marrin uniformën në çantë ose ta marrin të veshur. Mjetet logjistike duhet të trajtohen me përparësi sektorët që përballen drejt për drejt me krimin, për shkak të rrezikshmërisë së madhe që kanë në veçanti qeveria duhet të parashikojë fonde për pajisjen e punonjësve të policisë të sektorit operacional me jelekë antiplumb dhe mjete të tjera teknike për ta bërë sa më të lehtë zbatimin e detyrës.
Po kështu edhe pajisjen e punonjësve të policisë me automjete që janë të manovrueshme të shpejta dhe efektive. Aktualisht në komisariate ka furgonë të mëdhenj, por aktualisht ka ndryshuar koha dhe këto mjete nuk janë më efektivë. Por ende në komisariate vazhdojnë të qëndrojnë automjete që nuk përballojnë dot fluksin e qarkullimit si furgonët për të cilët as nuk gjenden vende parkimi e qarkullimi në rrugë nuk është shumë i shpejtë i tyre. Këto standarde që ne mendojmë dhe ngremë shqetësim, janë pjesë e standardeve të Policisë në të gjitha vendet e BE-së dhe ne duhet të punojmë për t'i arritur ato nëse pretendojmë të jemi pjesë e këtij komuniteti vendesh.