Kakavijë, 16 mijë shqiptarë u larguan në 36 orë
KAKAVIJË- Vazhdojnë të mbeten të konsiderueshme lëvizjet e emigrantëve në Stacionin e Policisë Kufitare të Kakavijës. Ndërkaq, shërbimi me një numër të vogël sportelesh ka krijuar radhë të gjata gjatë orëve të para të mëngjesit të së dielës. Fluksi më i madh është në dalje, ku mijëra emigrantë janë larguar pas përfundimit të pushimeve verore. Informacionet zyrtare të Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit në Gjirokastër tregojnë se vetëm gjatë 36 orëve të fundit janë larguar nga Shqipëria 16 mijë emigrantë, 3700 automjete, ndërsa kanë hyrë në territorin shqiptar rreth 6300 shtetas me rreth 1750 automjete.
Ndërkaq, për tri orë me radhë, gjatë natës pala greke ka punuar vetëm me një sportel dhe kjo gjë ka bërë që të krijohen radhë të gjata në dalje nga Shqipëria. "Pala greke që prej orës 02:00 të mëngjesit deri në orën 05:00 ka punuar me një sportel. Si pasojë, gjatë kësaj kohe radha ka arritur deri në një kilometër. Nga ora 05:00 deri në orën 07:00 ka punuar me dy sportele dhe radha ka ardhur duke u ulur, pasi dhe përpunimi i autobuzëve ka përfunduar duke filluar me makinat e vogla.
Në orën 07:00 është marrë takim me palën greke nga ana e komandantit të Kakavijës dhe drejtorit të Kufirit Rajonal Gjirokastër Vasil Valera dhe pala greke pas këtij takimi ka shtuar sportelet për në hyrje në Greqi nga 2 në 6 sportele duke bërë që brenda 3 orëve gjithçka të stabilizohej", kanë bërë të ditur burime zyrtare të policisë kufitare.