E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet gomonia shqiptare me 300 kg drogë, 4 në pranga

Pranga në Itali Benjamin Islamajt, Metli Imamajt, Shpend Islamajt e Lorenc Beqirajt

ITALI- Rikthehen gomonet e trafikut të drogës nga brigjet shqiptare për në drejtim të Italisë. Në orët e para të ditës së djeshme, policia italiane ka ndaluar një gomone ku ndodheshin 316 kilogramë hashash si dhe ka arrestuar katër personat që ndodheshin në të. Lajmi është pohuar dje nga policia italiane, e cila ka bërë të ditur se në gomonen me drogë të kapur në kanalin e Otrantos ndodheshin Benjamin Islamaj, Metli Imamaj, Shpend Islamaj dhe Lorenc Beqiraj.

Sipas policisë italiane, motovedetat kanë pikasur gomonen me lëndë narkotike dhe menjëherë janë vënë në ndjekje të saj. Për shkak të errësirës së natës në operacion janë përfshirë edhe një helikopter dhe një avion i ushtrisë. Gomonia shqiptare udhëtonte me drita të fikura por kjo gjë dhe manovrat e drejtuesit të saj nuk kanë mundur që t'i shpëtojnë katër trafikantët nga kapja. Ata janë arrestuar dhe dërguar në rajonin e Puglias ku dhe është bërë verifikimi i drogës. "Bëhet fjalë për 316 kilogramë hashash të presuar dhe paketuar. Destinacioni i gomones ishin brigjet italiane të rajonit të Puglias. Dyshojmë se në breg ndodheshin bashkëpunëtorët e katër personave të arrestuar në gomone, të cilët po prisnin mallin",- thanë dje hetuesit italianë. Sipas saj, e gjithë ngarkesa e marijuanës u dërgua në portin e Otrantos. Në total lënda narkotike kan një vlerë prej gati 1.5 milionë euro. Policia italiane ka njoftuar homologët shqiptarë për arrestimet e kryera në mënyrë që të zbulohen edhe bashkëpunëtorët e tjerë të këtij rrjeti.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›