E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tropojë, puna në të zezë, Zyra e Punës kërkon bashkëpunim

Drejtori Dushaj thotë se me mënyrën e riorganizimit në rang prefekture kontrolli i biznesit privat s'është i mundur

TROPOJË - Në rrethin e Tropojës, ndonëse po kalojnë 8 muaj të vitit, puna në të zezë ose pa siguracione mbizotëron në tregun e punës. "Me këtë mënyrë organizimi është e pamundur kontrolli i të punësuarve në biznesin privat",- thotë drejtori i Zyrës së Punësimit, Rifat Dushaj. Që kur dega e tatim-taksave dhe inspektoriati i punës u riorganizuan në rang prefekture, kontrolli ka qenë i parealizuar e si pasojë mbi 70% e sipërmarrjeve private nuk janë të regjistruara. "Aktualisht në Tropojë, sipas të dhënave që disponon Zyra e Punësimit, janë mbi 4000 të papunë, por kjo shifër nuk është e saktë, pasi të papunë regjistrohen ata që u nevojitet një dokument apo për ndihmë ekonomike në bashki",- thonë specialistët e shërbimeve të punësimit.

Realisht një numër i konsiderueshëm i të papunëve që trajtohen me ndihmë ekonomike punojnë në sektorin privat në të zezë. Sipas inspektorit rajonal, "subjektet e paregjistruara nuk kontrollohen nga ana jonë". Inspektori i punës, Feriz Isufaj, sqaron se "me këtë organizim që është aktualisht, ne nuk mund të kontrollojmë subjektet private". Në sektorin privat, nga 300 të punësuar realisht, pranë Zyrës së Punësimit janë të regjistruar vetëm 30% e tyre ose 90 persona.

Fakti që puna në të zezë është mbizotëruese në sektorin privat dihet, por shqetësuese është se problemi po neglizhohet nga strukturat kontrolluese, si dega e tatim-taksave, sigurimeve shoqërore dhe inspetoriati i punës. Për eliminimin e fenomenit të punës në të zezë është e domosdoshme bashkërendimi i punës mes këtyre institucioneve sipas akt-marrëveshjeve të përbashkëta.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›