Kaos në Durrës, rruga mbi 3 orë e bllokuar
Qindra makina bllokohen për më shumë se tre orë në aksion rrugor Golem-Plepa, pasagjerët në këmbë drejt Durrësit
DURRËS- Trafik kaotik, bllokime rruge që zgjasin më shumë se tre orë, qindra njerëz që dalin nga makina dhe udhëtojnë në këmbë. Kjo ishte situata mbrëmjen djeshme në rrugën nacionale Golem-Durrës teksa mijëra pushues ktheheshin nga plazhi. Aksi kryesor që lidh jugun e vendit me pjesën tjetër të Shqipërisë është kthyer në tmerrin e shoferëve që janë detyruar të presin me orë të tëra. Madje nuk mungojnë as ata që për të shkuar në Tiranë kalojnë nga aksi Peqin-Elbasan dhe më pas në kryeqytet.
Mbrëmjen e djeshme rruga nga Kavaja deri në Plepa ishte krejtësisht e bllokuar. "Për rrugën që vjen nga Jugu drejt Durrësit janë pesë ose gjashtë korsi, në varësi të vendit, ndërsa nga Durrësi drejt Jugut vetëm një korsi. Por as kjo nuk e zgjidh situatën",- thanë shoferët mbrëmjen e djeshme për "Shekullin". Sipas tyre, gjatë të gjithë rrugës kanë parë vetëm një grup policësh, por edhe ata nuk është se kanë bërë gjë për të ndihmuar në zhbllokimin e trafikut. Gazetarët raportojnë se bllokimi i parë vjen për shkak të një ure në vendin e quajtur "Përroi i Agait".
Deri në këtë vend rruga është me tre korsi por më pas aty ndodhet një urë që është vetëm me një korsi. "Sapo kaluam këtë urë patëm pak lëvizje por sërish bllokim. Na thonë që bllokimi vazhdon deri në zonën e Plepave",- pohon një prej shoferëve. Në disa raste njerëzit janë nisur në këmbë drejt qytetit të Durrësit duke lënë makinat e tyre. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me pasagjerët e autobusëve. Raportohet se bllokime të rrugës dhe probleme të mëdha në trafik janë vënë re edhe gjatë paradites së djeshme.
Ndërkohë, banorët e zonës dhe shoferët e autobusëve që e bëjnë këtë linjë pothuajse çdo ditë thonë që gjithçka vjen për shkak të punimeve në rrugë.
Firma që po kryen rikonstruksionin e rugës duhet të kishte përfunduar punimet në qershor por mungesa e fondeve ka bërë që ajo të ndërpresë punën. Shpenzimet e shumta të qeverisë për fushatën zgjedhore kanë detyruar Ministrinë e Financave që të paraqesë një projektligj që detyron firmat që të kryejnë deri në 70% të punimeve me fondet e tyre, por shembulli i kësaj rruge tregon që kjo është një praktikë e dështuar. Drejtuesit e makinave thanë dje se gjatë të gjithë rrugës nuk kanë parë asnjë mjet ose punëtorë të firmës që duhet të bëjë rikonstruksionin e rrugës.