Kalaja e Elbasanit, historiku mbledh specialistët
Në datën 20 mars në Institutin e Monumenteve të Kulturës do të zhvillohet një takim, i cili do të ketë në fokus të tij historikun e kalasë së qytetit të Elbasanit, por ky takim do të shërbejë dhe për promovimin e një libri, i cili trajton pjesë të kësaj historie. Ky event do të organizohet nga Instituti Italian i Kulturës në bashkëpunim me Institutin e Monumenteve të Kulturës Gani Strazimiri, Universitetin Aleksandër Xhuvani, në Elbasan.
Libri Dokumente prej guri është një volum, i cili tregon për eksperiencën e jashtëzakonshme të tre viteve zbulimi dhe kërkimesh shkencore dhe rigoroze e drejtuar nga një skuadër ndërkombëtare kërkuesish në Shqipëri, një vend i pasur me monumente dhe arkitektura të një historie të popujve mesdhetarë. Përmes këtyre gjetjeve dhe metodave të reja ky vend, që ndodhet në qendër të Ballkanit , fillimisht i panjohur për autorin e librit, ashtu sikurse edhe për shumë të tjerë, është bërë teatri i shumë projekteve origjinale restauruese dhe vlerësuese, sipas principeve më të avancuara të trajtimit të të mirave arkeologjike, arkitektonike dhe të vlerave historike. Objekti i parë dhe më i rëndësishëm i kërkimeve është kështjella e Elbasanit, një ndërtesë e vjetër romane, e ndërtuar me qëllimin për të kontrolluar dhe limituar vërshimet e popujve sllavë në rrugën Egnatia. E dëmtuar dhe e riparuar disa herë ajo ka ardhur deri në ditët tona me vlerat dhe historinë e saj. Libri përshkruan përmes shumë zërave tregues të kërkuesve të përfshirë në të, të gjitha fazat e projekteve të vlerësimit të monumenteve të arkitekturës qytetare, dhe në veçanti ai tërheq vëmendjen në projekte të ndryshme të restaurimit dhe riparimit të këtyre objekteve. Pikërisht këto kërkime kanë meritën, që kanë zgjuar ndërgjegjen e qytetarëve të Elbasanit mbi vlerat që vetë arkitekturat historike, pra monumentet, veprat e artit kanë edhe në drejtim të zhvillimit ekonomik. Në këtë takim do të referojë dhe profesori italian Roberto Pierininga Universiteti i Pizës,por dhe shumë profesorë të tjerë shqiptarë. Ndërsa në datën 21 mars ky takim do të zhvillohet në qytetin e Elbasanit në Universitetin Aleksandër Xhuvani.