E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjirokastër, rrëshqitja e dheut rrezikon 30 për qind të territorit të banuar

/>Reshjet e shumta të shiut ditët e fundit në jugun e Shqipërisë, kanë shtuar frikën nga rrëshqitjet e dheut në zonat me formacione të buta dhe shtufore, që përbëjnë gati 30 për qind të territoreve ku janë ndërtuar objekte banimi në qytetin e Gjirokastrës. Dashmir Zyberi, specialist në Zyrën e Urbanistikë pranë Këshillit të Qarkut të Gjirokastrës, ka bërë të ditur dje se në dy zona në qytetin e gurtë, në Kodrën e Shtufit dhe në zonën midis lagjes 11 Janari dhe "Punëtori, ka rrezik të ndodhë një rrëshqitje masive dheu, për shkak të përbërjes gjeologjike të zonës. E njëjta gjë vihet re në disa lagje të qytetit të Libohovës, ku vazhdimisht ka pasur probleme të tilla, si dhe në fshatin Llongo, të komunës së Dropullt të Sipërm, rreth 25 kilometra larg Gjirokastrës, ku dy vjet më parë u shembën disa shtëpi për shkak të rrëshqitjes masive të tokës. Ndërtimet që janë bërë dhe vazhdojnë të bëhen në Kodrën e Shtufit kanë probleme, ka thënë Zyberi. "Në qoftë se Bashkia e Gjirokastrës nuk merr parasysh mendimin e specializuar të gjeologut, të tjera ngjarje të hidhura mund të  ndodhin, madje më të rënda se ajo e 9 nëntorit të kaluar", ka vërejtur ai, duke theksuar se pas shembjes së pallatit 5- katësh në qytetin e Gjirokastrës, drejtuesit e njësive vendore kanë pezulluar çdo kërkesë për ngritje objekti, deri sa specialistët gjeologë të kryejnë një studim të plotë në terren. Bashkia e Gjirokastrës ka ngritur prej më tepër se një muaji e gjysmë një grup specialistësh, të cilët po bëjnë një  kontroll të hollësishëm në të gjitha ndërtimet e kryera 18 vitet e fundit në qytetin shumëshekullor, tha specialisti i Zyrës së Urbanistikës pranë Këshillit të Qarkut të Gjirokastrës. Vitet e fundit, në ndërtimet e reja në qytetin e gurtë vërehet një kaos i vërtetë, mungesë studimi dhe madje ndërtime në kundërshtim me mendimin e specialistëve. Më 9 nëntor të vitit të kaluar, për shkak të rrëshqitjes së dheut që u shkaktua nga gërmimet për themelet e një pallati të ri, u shemb një pallat 5- katësh ku humbën jetën tre banorë të tij. Specialistët gjeologë mendojnë se është e nevojshme dhe e domosdoshme që një gjeolog të jetë anëtar i Këshillit të Rregullimit të Territorit në njësitë vendore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›