Korçë, sekseri i vizave bie në prangat e policisë për mashtrim
/>Mashtrimi me vizat Shengen duket se është rikthyer në modë sërish në juglindje të vendit. Një 48- vjeçar nga rrethi i Korçës ka përdorur pikërisht këtë metodë për të mashtruar një bashkëfshatarin e vet, i cili tentonte të shkonte në mënyrë legale në Greqi për të parë djalin e tij të sëmurë në spital.
Duke iu referuar burimeve zyrtare të policisë së Korçës, mësohet se Lulëzim Nazifi, banor i fshatit Zëmblak në rrethin e Korçës është arrestuar gjatë paradites së djeshme nën akuzën për mashtrim. Arsyeja e kësaj prangosjes ka qenë shumë e papritur për të ndaluarin. Ka qenë pikërisht përvetësimi i plot 140 mijë lekëve të bashkëfshatarit të tij, R. Bregu, të cilit i ka marrë për ti siguruar pajisjen me vizë 6 mujore Shengen nga Konsullata Greke në Korçë. Në fakt mashtrimi ka vijuar për më shumë se dy muaj, ndërsa hallexhiu kërkonte të shkonte sa më shpjet, pasi kishte djalin e sëmurë në spital në Athinë. Meqenëse kjo gjë nuk i është realizuar duke e mbajtur me mashtrime për një kohë të gjatë, 50- vjeçari Kodra ka vendosur të kërkojë ndihmë në policinë lokale. Ai ka bërë të ditur se megjithëse nuk kishte marrë vizën siç i ishte premtuar dhe të hollat që ka paguar për këtë lloj shërbimi, ato nuk i janë kthyer pas me pretendimin se ato i arrestuari Lulëzim Nazifi i kishte paguar tek të tjerë persona që lidheshin drejtpërdrejt me sigurimin e vizës. Në fakt, pas pritjes por dhe trokitjeve të njëpasnjëshme në derën e shtëpisë së Nazifit për të marrë lekët, R. Kodra ka vendosur të denoncojë aktin në polici. Kjo e fundit ka nisur menjëherë hetimet, ndërsa ka prangosur gjatë paradites së djeshme 48- vjeçarin. Në momentin e arrestimit ai ndodhej në një lokal të fshatit Zëmblak duke pirë kafe me disa të njohur kur është prangosur. Pas arrestimit nën akuzën e mashtrimit, 48- vjeçari nuk ka mohuar faktin që të ketë marrë sasinë e lekëve bashkëfshatarit të tij, porse e ka shpjeguar atë në formë borxhi për një problem që sipas dëshmisë në polici ka pasur familja e tij.