E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, furrtarët akuzojnë: Shitësit e bukës abuzojnë me çmimin

/>Ulja e çmimit të bukës në furra, nuk prek dyqanet e lagjeve    
Rritja e çmimit të bukës në qytetin e Vlorës që prej një viti e gjysmë nuk ka pësuar asnjë lloj uljeje, edhe pse në qytetet e tjera kjo e fundit ka ndodhur prej muajsh. Kështu, si në asnjë qytet tjetër, 1 bukë e cilësuar 1 kilogramëshe në Vlorë kushton 100 lekë. 
Gjithçka nisi në emër të rritjes së çmimit të miellit në shkallë kombëtare. Mirëpo, ndërsa më vonë po në shkallë kombëtare u bë ulja e çmimit të miellit dhe për rrjedhojë edhe e çmimit të bukës, në qytetin e Vlorës nuk ndodhi një gjë e tillë. Gjatë asaj kohe, në qytet pati shumë iniciativa për të detyruar bukëpjekësit të bënin ulje të detyrueshme, por pa asnjë rezultat. Në këtë iniciativë u përfshinë edhe institucione shtetërore, bashkia dhe prefektura që bënë premtim publik për të detyruar bukëpjekësit që të bënin uljen e çmimit të bukës, por pa rezultat. Kështu, që qysh atëherë një bukë në qytetin e Vlorës shitet 100 lekë të reja, ndonëse ajo nuk ka as peshën 1 kg. Kjo mungesë peshe prej bukëpjekësve justifikohet me faktin se një kilogramë është brumi që bën një bukë.
Mashtrimi i qyqaneve të bukës
Mirëpo ajo që nuk ndodhi për gati 1 vit e gjysmë po ndodh këto ditë në qytetin bregdetar por vetëm deri në gjysmën e rrugës. Kështu, në këtë qytet pjesa më e madhe e bukëpjekësve kanë filluar uljen nga 5 deri në 20 lekë për bukën, por nuk po ndodh një gjë e tillë tek shitësit e bukës. Qytetarët vlonjatë vazhdojnë ta blejnë përsëri me 100 lekë bukën e madhe dhe 50 lekë të voglën. Vetë bukëpjekësit deklarojnë se e kanë marrë me kohë një iniciativë për uljen e çmimit të bukës, duke e barazuar atë edhe me çmimin që po e shesin bukën qytetet fqinjë, si psh ai i Fierit, por nuk po e bëjnë një gjë të tillë shitësit e bukës. Ndonëse ata shpesh deklarojnë se si do që të jetë çmimi i bukës ata fitojnë vetëm 10 lekë për bukë, duke ja lënë përgjegjësinë për rritjen e çmimit të bukës bukëpjekësve, kësaj radhe po fitojnë vetë edhe atë diferencë çmimi që kanë filluar ta ulin bukëpjekësit. Këta të fundit u bëjnë thirrje qytetarëve që të shkojnë ta blejnë bukën tek dyqanet pranë furrave të bukës, por kjo është krejtësisht e pamundur për pjesën më të madhe të banorëve, të cilët shtëpitë i kanë larg këtyre furrave dhe detyrohen që bukën ta blejnë në dyqanet e lagjeve. Janë pikërisht shitësit e këtyre dyqaneve që nuk e kanë ulur çmimin e bukës dhe vazhdojnë ta shesin atë me çmimin e mëparshëm. Ndërkohë që furnizuesit e tyre bukëpjekësit, i mbajnë duart larg nga ky fenomen duke deklaruar vetëm se po ua japin bukën këtyre shitësve prej kohësh me 5 ose 20 lekë më pak, por nuk kanë mundësi tu imponohen atyre për tu ulur çmimin. Nuk kemi çtu bëjmë shitësve. Ne kemi interes tu japim sa më shumë bukë dhe furnizim, ashtu siç kemi interes që blerësit të vijnë tek dyqanet pranë furrave tona, por kjo është e pamundur, thonë bukëpjekësit, ndërkohë që shitësit e lagjeve që nuk e kanë bërë ende uljen e çmimit të bukës hiqen sikur nuk e dinë që ka ndodhur një ulje e tillë, ndonëse dokumentet që firmosin përditë kur furnizohen me bukë tregojnë të kundërtën. Ata hiqen të paditur në këtë drejtim sepse u intereson ta vazhdojnë shitjen e bukës me çmimin e mëparshëm, duke fituar dyfishin. Në këtë aspekt, banorë të ndryshëm kanë kërkuar ndërhyrjen e organeve kompetente, bashkisë dhe degës të tatim-taksave, duke mos lejuar fitim mbi normën e lejuar dhe duke penalizuar abuzuesit në këtë rast.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›