E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokaster, shpërndahen tekstet greqisht ne shkolla

Nga Ismail Xhaferri
Janë shpërndarë tekstet mësimore në gjuhën greke, shtypur në vendin fqinj, në të gjitha shkollat e minoritetit në Gjirokaster. Janë 22 tituj librash, të cilët janë marrë nga nxënësit që mësojnë gjuhën greke. 

GJIROKASTER Eshtë bërë ditën e djeshme shpërndarja e teksteve mësimore në gjuhën greke, shtypur në vendin fqinj, në të gjitha shkollat e minoritetit në këtë rreth. Sipas konfirmimeve zyrtare të Gazetës pranë Drejtorisë Arsimore Rajonale, janë 22 tituj librash në një sasi mbi 300 copë, të cilët dje janë marrë nga nxënësit që mësojnë gjuhën greke. Njëkohësisht, të njëjtat burime shtojnë se tekstet e përgatitura dhe shtypura në Greqi, përveçse në shkollat 9-vjeçare, janë shpërndarë dhe në gjimnazin "Siri Shapllo" të qytetit.
TEKSTET
Burimet e mësipërme shtojnë se janë 22 tituj librash shkollorë në gjuhën greke, të cilët kanë mbërritur pranë Drejtorisë Arsimore Rajonale në Gjirokastër, për nxënësit që studiojnë këtë gjuhë në shkollën e mesme "Siri Shapllo" të qytetit, si dhe ato 9-vjeçare ku mësohet greqisht në gjithë rrethin. Këto tekste janë të certifikuara nga Ministria shqiptare e Arsimit dhe është Drejtoria Arsimore në vartësi të saj, që ka bërë dhe shpërndarjen e tyre dje nëpër shkolla. Titujt e librave që arrijnë në 22, plotësojnë nevojat e nxënësve minoritarë që studiojnë këtë gjuhë, por vetëm për ciklin 9-vjeçar, pasi në Shkollën e mesme Pedagogjike ende nuk janë shtypur tekstet. Burimet zyrtare nga Drejtoria Arsimore na pohuan se "tekstet e mbërritura janë shtypur nga shtëpi botuese greke, pasi në vendin tonë nuk ka shtëpi botuese në këtë gjuhë dhe kjo ka bërë që Ministria jonë e Arsimit të nënshkruajë një marrëveshje me ministrinë greke, duke bërë të mundur realizimin e këtyre teksteve pas 17 vitesh kërkesash e ankesash nga nxënësit por edhe mësuesit". Sipas zyrtarëve të DA Gjirokastër, tekstet edhe pse janë shtypur në Greqi, "janë përgatitur nga specialistë shqiptarë të cilët nuk kanë përkthyer tekstet nga gjuha shqipe". Nga një kopje e teksteve është dërguar para pak ditësh në Ministrinë e Arsimit në Tiranë, për të marrë kështu miratimin përfundimtar"
SHKOLLAT
22 tekstet e përgatitura në shtypshkronjat greke u janë dhënë dje shkollave në Derviçan, Vrisera, Pogon si dhe gjimnazit "Siri Shapllo" në Gjirokastër, për nxënësit e ciklit 9-vjeçar që mësojnë greqisht. Janë gjithsej 300 libra që janë shpërndarë e që plotësojnë nevojat në këto shkolla. Titullari i DAR, Vasil Muka që mori pjesë në ceremoninë e shpërndarjes së teksteve greqisht, së bashku me përfaqësues të prefekturës dhe konsullatës greke në këtë qytet, e quajti këtë ditë si "eveniment të shënuar për nxënësit minoritarë", e se duke pasur tekstet greqisht, do të kenë më shumë mundësi për rritjen e dijeve, duke u dhënë fund vuajtjeve disavjeçare në këtë drejtim. Për sa u përket 62 nxënësve të Pedagogjikes në Gjirokastër, në ceremoni u tha se do të bëhen të gjitha përpjekjet që tekstet nga Greqia t'i kenë vitin e ardhshëm.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›