Të ardhurat për frymë 22% e mesatares së BE
Progres raporti i KE-së vëren se niveli i të ardhurave për frymë, ndonëse ka shënuar rritje, është ende në nivelin 22% të të ardhurave mesatare për frymë të popullsisë së 27 vendeve anëtare të këtij grupimi.
TIRANE-Ndërkohë që për Kroacinë, Komisioni Evropian sapo ka caktuar një kalendar veprimesh i cili përcakton me data hapat që do të ndërmerren deri në aderimin e këtij vendi në Bashkimin Evropian, asgjë e tillë, fatkeqësisht, nuk parashikohet nga raporti më i fundit për vlerësimin e zbatimit të Marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit nga vendi ynë. Progres-Raporti 2008 i Komisionit Evropian, dorëzuar dy ditë më parë autoriteteve shqiptare nga ambasadori Lohan, në të kundërt, duke afirmuar edhe një numër arritjesh, tregon arsyet pse Shqipëria ende nuk mund të marrë, jo vetëm ftesën për anëtarësim, por as statusin e kandidatit, që e gëzon Maqedonia fqinje.
Të ardhurat
Shqipëria ka rritur çdo vit Prodhimin e saj të Brendshëm Bruto, por një gjë e tillë nuk ka mjaftuar që ajo të afrohet me nivelin e të ardhurave për frymë popullsie me vendet e BE-së, konstatohet në Raport. Në fakt, niveli i të ardhurave për frymë, ndonëse ka shënuar rritje, është ende në nivelin 22% të të ardhurave mesatare për frymë të popullsisë së 27 vendeve anëtare të këtij grupimi. Në përgjithësi, rritja ekonomike paraqitet e kënaqshme, madje e shpejtuar, por niveli i të ardhurave në përgjithësi mbetet i ulët, konstatojnë ekspertët e Brukselit.
Investimet
Hyrja e kapitaleve në ekonominë e vendit rezulton në rritje gjatë vitit të kaluar, por ajo mbetet gjithnjë relativisht e ulët, thekson Raporti. Stoku i përgjithshëm i investimeve të huaja direkte në Shqipëri është vetëm sa 19,1% e PBB në vitin 2007, shumë më pak se në vendet e tjera të rajonit. Këtu, veç të tjerash, ka ndikuar edhe fakti që, pavarësisht nga shtimi i projekteve apo rritja e investimeve qeveritare, aftësia e zbatimit të tyre ka mbetur në nivel të ulët, thekson KE-ja.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)