E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjirokastër, zbulohet një vendvarrim i shekullit të II

• Një ekspeditë informative në Luginën e Drinos në Gjirokastër, organizuar nga Sektori Arkeologjik i Butrintit Sarandë dheParku Arkeologjik i Antigonesë në Gjirokastër, ka zbuluar një vend-varrim të vjetër qytetar, që i përket shekullit IV-III para Krishtit. Bëhet fjalë për katër varre në formë paralelepipedi, dy prej të cilëve në gjendje të mirë dhe dy të tjerët të dëmtuar nga punimet e mekanikës bujqësore në vitet ‘80. Deri në këto momente nuk ka asnjë studim, gërmim apo identifikim të këtyre varreve antike ndonëse ato janë të ekspozuara. Vendvarrimi antik ndodhet në të majtë të rrjedhës së lumit Nimica, mjaft afër ish-stallave të lopëve në fshatin Valare. Arkeologu prof.dr. Dhimitër Çondi, ka pohuar për gazetën “Panorama” se, bëhet fjalë me një zonë qytetare të periudhës antike, pasi dhe varret janë të ngjashme me ato të Jorgucatit, Antigonesë dhe Sofratikës, të trija të shtrira në Luginën e Drinos. Prania e tyre flet për një zhvillim dhe qytetërim edhe në skajin verilindor të rrjedhës së lumit të Gjirokastrës. Varret kanë një gjatësi nga 1.7 deri në 2 metra dhe gjerësi 0.7-1 metër. Ato janë të ndërtuara me pllaka monolite për çdo faqe të paralelopipedit. Sipas drejtorit të Parkut Antik të Antigonesë, Ëngjëll Serjani, siti {objekti arkeologjik} paraqet interes të jashtëzakonshëm për të plotësuar guidën turistike në krejt Luginën e Drinos aq të pasur me monumente të të gjitha periudhave historike. Pas evidentimit të monumentit, menjëherë janë vendosur lidhjet me komunën Lunxhëri dhe kryetari i saj Ilija Kuro, mori përsipër menjëherë hartimin e një projekti për ta kthyer këtë vend në një zonë të vizitueshëm dhe paralelisht do të nisin procedurat për ta shpallur monument kulture. Kjo pikë arkeologjike paraqet mjaft interes, pasi ndodhet rreth 200 metra larg një vendi tjetër historik siç është Hani i Xharahut ose i Valaresë. Sundimtari i jugut në shekullin XVIII Ali Pashë Tepelena pikërisht në këtë bujtinë, vrau 600 burra nga Kardhiqi. Mbeturinat e këtij hani ekzistojnë edhe sot e kësaj dite dhe mund të kthehet në një qendër historike. Sipas kreut të komunës Lunxhëri Kuro, zona ku u konstatuan varret e lashta, do të merret në mbrojtje sepse vlerat e saj mund të shërbejnë si pikë turistike. Ndërkohë arkeologu Çondi ka kritikuar Drejtorinë Rajonale të Monumenteve të Kulturës pasi prej vitit 1980 kur janë zbuluar varret e deri më tani, nuk e ka evidentuar dhe çfarë është më e keqja nuk është etiketuar në listën e monumenteve të kulturës. Ndërkohë ish kreu i Drejtorisë së Monumenteve të Kulturës Vladimir Qirjaqi shprehet se kërkesa për këtë është bërë por nuk është marrë parasysh nga qendra në kryeqytet.                           p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›