E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koshtunica, thirrje për unitet, Serbia në prag krizë qeveritare

• Kryeministri serb, Vojisllav Koshtunica, u ka bërë thirrje partive parlamentare serbe që ta konfirmojnë në Kuvend politikën unike shtetërore e kombëtare, se Kosova është pjesë e pandashme e Serbisë.Koshtunica ka kërkuar mbështetje për qëndrimin e tij se Serbia nuk duhet të afrohet në marrëdhënie të ngushta me Bashkimin Evropian, derisa vendet e Unionit të tërheqin vendimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Kohët e fundit kreu i qeverisë serbe është përballur me mospajtimet dhe plasaritjet në radhët e koalicionit qeveritar lidhur me Kosovën dhe integrimet në strukturat euroatlantike. “Nëse të gjithë me sinqeritet qëndrojmë prapa parimit shtetëror e kombëtar, se Kosova është Serbi, atëherë të gjithë bashkë duhet ta mbështesim atë se Serbia me Kosovën mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian”, ka deklaruar Koshtunica për mediat serbe. Sipas tij, me këtë politikë të përbashkët mund të jenë të kënaqur edhe partitë të cilat insistojnë për integrimet evropiane, edhe ato që po insistojnë në mbrojtjen e Kosovës. “Eshtë e rëndësishme që të evitojmë ndarjen rreth BE-së dhe për momentin, për të mirën e Serbisë, të konfirmojmë unitetin e politikës shtetërore e kombëtare, se Serbia ka tërësinë e saj të plotë territoriale, me krahinën e vet jugore”, shtoi Koshtunica. “Iu bëj thirrje të gjithë forcave politike që ta ruajmë dhe konfirmojmë politikën, të cilën Serbia me vite po e zhvillon në mbrojtjen e interesave të veta esenciale dhe të kumtojë qartë se Serbia shkon në Bashkimin Evropian vetëm me Kosovën e vet”, theksoi kryeministri serb. Apeli i Koshtunicës i drejtohej kërkesës së radikalëve serbë që në rend të ditës, si pikë e parë, të shtrohet “Propozim-rezoluta mbi mbrojtjen e tërësisë tokësore të Serbisë në marrëdhëniet me organizatat ndërkombëtare, veçmas me Bashkimin Evropian”, duke konstatuar se Serbia nuk do të zhvillojë negociata për anëtarësim në BE, në qoftë se kjo organizatë nuk e konfirmon qartë tërësinë shtetërore të territorit të Serbisë. Ky dokument mbështetet nga deputetët e partisë së Koshtunicës dhe socialistët serbë, kurse kundër janë deputetët e Partisë Demokratike të presidentit Boris Tadiç, të “G 17 plus”, të grupimit rreth Partisë Liberal Demokratike (LDP) të Çedomir Jovanoviçit dhe të partive të pakicave kombëtare në Parlamentin serb. Partia më e madhe në pushtet, ajo e presidentit Tadiç dhe “G 17 plus” nuk do të pranonin të vazhdojnë të qeverisin me bllokun e partive populliste të kryesuara nga kryeministri aktual Koshtunica, i cili si anëtar i koalicionit qeveritar bën pakt me partinë opozitare radikale dhe socialiste të Serbisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›