Kumbaro rikthen pas 17 vjetësh “Franku i pestë”
• Regjisori Arben Kumbaro, rikthen “Franku i pestë” pas 17 vitesh në Shqipëri.ANILA MEMANëse për herë të parë këtë vepër të dramaturgut të njohur gjerman, Fridrih Durrenmat, regjisori e ka vënë në vitin 1991, ku prova gjenerale e së cilës është shoqëruar me demonstratën e parë në vend, pas rënies së komunizmit, sot kjo vepër vjen në një tjetër kohë, në një tjetër sistem dhe me të tjera kushte. Pavarësisht këtij ndryshimi për regjisorin Kumbaro, impakti, potenciali, filozofia, forca politike dhe estetike e kësaj vepre flet në çdo realitet, dhe kjo për të ka qenë një nga arsyet më të forta që e shtyu ta rikthejë sërish në skenë. “Eshtë një vepër me përmasa të mëdha. E kam vënë për herë të parë në vitin ’90 dhe kjo është hera e dytë që vjen në Shqipëri. Autori nuk është i panjohur për realitetin shqiptar. Por kësaj here vepra vjen me një konotacion shumë të fortë politik, sikurse ishte edhe atë kohë sistemi komunist që ndodhej në gradën e fundit. Atë kohë vepra është përkthyer nga Aleksandër Furxhi. Prova e përgjithshme në atë kohë ka konçiduar me demonstratën e parë. Ato pesë shfaqje të kësaj vepre janë shoqëruar me avari të ndryshme dhe për këtë dua të falënderoj aktorët e mëdhenj, që me sakrificën e tyre të jashtëzakonshme mundën ta ngjisnin në skenë”, shprehet Kumbaro gjatë konferencës së dhënë për shtyp dje në Teatrin Kombëtar. “Franku i pestë”, megjithëse i shkruar në vitet ‘60, u përzgjodh nga Teatri Kombëtar si premiera që do të nisë sezonin artistik dhe në skenë pritet të vihet në datën 20 mars. “Ndonëse sistemet kanë ndryshuar dhe nëse atëherë bëhej fjalë për një sistem gangster qëndrimet dhe raportet me shtetin janë akoma, të pastabilizuara. Slogani i kësaj vepre, është se kur demokracia e gangsterëve është demokracia e së pamundurës, ajo gjen jehonë në çdo realitet, në çdo kohë. Jam i bindur se publiku do të gjejë shumë gjëra të njohura me anë të kësaj vepre”, thekson me tej regjisori. Sipas regjisorit, e rimarrë sot kjo vepër merr vlera të tjera, sepse standardi profesional i cili vihet re në vepër, padyshim është i një niveli shumë të lartë në shoqërinë tonë. “Franku i pestë” mbi të gjitha është një vepër poetike që i flet realitetit të çdo kohe dhe çdo vendi dhe platforma regjisoriale parashikon një vënie në skenë origjinale të kësaj tragjikomedie muzikore, ku sipas regjisori do të interpretohen rreth 13 numra live nga vetë aktorët. Përpos aktrimit dhe këngës, regjisori i ka kushtuar shumë vëmendje edhe lëvizjeve koreografike të aktorëve. Skenografia e Genc Shkodranit do të sjellë një dekor madhështor sipas tij, por edhe kostumet janë për t’u vlerësuar, me të cilat po punon stilistja Anila Zajmi. “Një nga risitë e kësaj vënie në skenë është edhe kompozimi muzikor i të gjithë veprës nga Endri Sina, me orkestrinë live në skenë që do të drejtohet nga Mario Deda dhe orkestra e tij, ndërkohë lëvizjet koreografike të aktorëve janë përshtatur nga koreografi Gjergj Prevazi”, shprehet Kumbaro. Në interpretimin e kësaj vepre marrin pjesë aktorë të njohur të teatrit shqiptar si Luiza Xhuvani, Roland Trebicka, Yllka Mujo, Bujar Asqeriu, Fatos Sela, Neritan Licaj, Mehdi Malkaj, Naum Shundi, Vangjel Toçe, Sokol Angjeli, Olta Daku, Indrit Çobani etj. Historia “Franku i pestë” është një histori makbethiane me shprehjen tipike të luftës për pushtet. Në vepër nuk bëhet fjalë thjesht për një bankë, por për një sistem shoqëror, jo për një bankë gangsterësh, por për një shtet gangsterësh, i cili do që të reagojë në mënyrë “demokratike”. Dyrrenmati paraqet në mënyrë simbolike raportet e individit me shtetin, ato midis botës materiale dhe asaj shpirtërore. Ai tallet me gangsterët bankierë që nëpërkëmbin vlerat njerëzore, duke ndërtuar me mjeshtëri karikaturat e tyre. Boshti i gjithë kësaj odiseje është paraja, ajo është gjeneratori i veprimit dramatik. Miti i parasë i ka shndërruar bankierët në bisha. Grotesku është mjeti kryesor artistik në vepër. “Franku i pestë” dëshmon vitalitetin dhe humanizmin e penës së Dyrrenmatit, zgjuarsinë dhe kurajon qytetare me të cilat ai gjykon realitetin e përditshëm.“Franku i pestë”, para 17 vjetësh “Franku i pestë”, e vënë në skenën e teatrit “Migjeni” në Shkodër për herë të parë nga regjisori Arben Kumbaro në vitin 1991 në prag të përmbysjes së komunizmit, ka pasur një impakt të jashtëzakonshëm me publikun dhe situatën e asaj kohe. Në këtë vepër kanë interpretuar emrat më të njohur të teatrit shqiptar të asaj kohe, si Bep Shiroka, Tinka Kurti, Marie Qysqari etj. Për regjisorin premiera e “Franku i pestë” është ndër sfidat më të rëndësishme, më të vështira dhe të mëdha për nga komponentët e realizimit. Dhe për të, vënia në skenën në Teatrin Kombëtar ka angazhuar potencialet e tij më të mira artistike.