Holanda, Suedia njohin Kosovën, gati dhe të tjerët
• Holanda dhe Suedia njohën dje zyrtarisht pavarësinë e Kosovës, ndërsa Kroacia pritet ta marrë këtë vendim më 13 mars.Numri i vendeve që po njohin Kosovën shtet po shtohet dita ditës. Shefja e zyrës holandeze në Prishtinë, Margriet Struif i dorëzoi dje zyrtarisht presidentit Sejdiu letrën zyrtare të njohjes. “Dua t’ju informoj se më 4 mars, Mbretëria e Holandës e njeh Republikën e Kosovës dhe unë i solla presidentit Sejdiu letrën zyrtare të njohjes së pavarësisë”, tha zonja Struif pas takimit me presidentin Sejdiu. Edhe Suedia e njohu dje Kosovën si shtet të pavarur. Deklaratën e ka njoftuar Ministria e Punëve të Jashtme, pas takimit që pati kryeministri suedez Fredrik Reinfeldt me shefin e diplomacisë Karl Bilt. Një nga arsyet e njohjes së Republikës së Kosovës nga Suedia është se Kosova që nga viti 1999 ishte nën protektoratin e Kombeve të Bashkuar dhe se faktikisht nuk ishte pjesë e sovranitetit të Serbisë. Pas Danimarkës Suedia është vendi i dytë skandinav që njohu Kosovën e pavarur, ndërkohë që këtë pritet ta bëjnë edhe Finlanda, Norvegjia dhe Islanda. Edhe qeveria e Kroacisë zyrtarisht do ta njohë Kosovën në mbledhjen e së enjtes, më 13 mars. Duke u bazuar në konsultimet e tanishme të zyrtarëve kryesorë të qeverisë dhe zyrës së presidentit, ambasadori i parë kroat i akredituar në Prishtinë mund të jetë Zlatko Kramariç ose Davor Vidish, një profesionist, i cili në qarqet diplomatike cilësohet si njohësi më i mirë rrethanave në Evropën Juglindore. Veç saj edhe Hungaria po përgatitet ta njohë pavarësinë e Kosovës, ka deklaruar kryeministri Ferenc Gyurcsany. Ai nuk ka saktësuar ditën pasi ka marrë në konsideratë reagimet e disa zyrtarëve për pasojat në marrëdhëniet me Serbinë.