E Diel, 1 Nëntor 2026

“Grand”, kërcënim me bombë pas deklaratës së Thaçit

• Hoteli “Grand” në qendër të Prishtinës, i cili në ditën e pavarësisë u kthye në qendër mediatike për të 700 gazetarët nga e gjithë bota, ka qene pre e një kërcënimi telefonik për vënien e bombës vetëm disa minuta pasi kryeministri Hashim Thaçi kishte shpallur pavarësinë e Kosovës. Autoritetet kosovare e kanë mbajtur sekret këtë ngjarje ditën e shpalljes së shtetit të ri. Lajmi është njoftuar nga agjencia “INA”, sipas burimeve të së cilës pranë hotelit “Grand”, telefonata kërcënuese ka pasuar gjatë konferencës së parë të kryeministrit Hashim Thaçi, më 17 shkurt, ndërsa kërcënuesi ka folur në gjuhën serbe. Siç citohet në “INA”, “Para telefonatës atë ditë është ndërprerë energjia elektrike në të gjithë hotelin dhe në receptorin e telefonit fiks është dëgjuar një zë burri, i cili ka folur në gjuhën serbe dhe kërcënuar se për 5 minuta “Grandi” do të hidhej në erë”. Po sipas të njëjtës agjenci, për kërcënimin me bombë po atë ditë kanë pasur dijeni edhe anëtarët e këshillit organizativ për organizimin e ceremonisë së pavarësisë. Autoritetet shtetërore në Prishtinë nuk kanë pranuar të komentojnë këtë ngjarje të mbajtur sekret më 17 shkurt.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›