Gjirokastra nderon me qytetar nderi 2 ish luftëtarë të UÇK
Dy ish luftëtarë të UÇK janë vlerësuar me titullin qytetar nderi nga ana e Bashkisë së Gjirokastrës. Lulzim Jashari dhe Sokol Bashota, të gjendur në Gjirokastër me rastin e festivalit ndërkombëtar folklorik Fest-Argjiro 2009, kanë shoqëruar me këtë rast ansamblet e ardhura nga Kosova që performuan në skenën e Odeonit koncertor në Pazarin Karakteristik.
Motivacioni i dhënë për dy prej figurave kryesore të UÇK ka qenë për kontributin e dhënë në çlirimin e Kosovës dhe vendosjen e paqes si dhe për rindërtimin e shtetit të Kosovës. Për Lulzim Jasharin, i cili vjen nga familja heroike e Adem Jasharit, nderimi i bërë nga ana e Bashkisë së Gjirokastrës është lidhje e pashkëputur mes Prekazit, Drenicës dhe Kosovës së Adem Jasharit, me të gjithë dëshmorët shqiptarë si Çerçiz Topulli dhe gjithë figurave të lavdishme që ka nxjerrë qyteti i Gjirokastrës. Le të jetë lidhje e pashkëputshme e gjeografisë së atdheut tonë të përbashkët, është shprehur Jashari për gazetën SOT. Ndërkohë ish luftëtari tjetër i vlerësuar nga Bashkia e Gjirokastrës, Sokol Bashota, ish zv komandat i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK, aktualisht kryetar i Komunës së Klinës anëtar i Partisë Demokratike të kryeministrit kosovar Hashim Thaçi, ka vlerësuar mjaft këtë çmim duke e quajtur si dhuratën më të çmueshme të jetës së tij. Këtë dhuratë do ta ruaj si emocion dhe do ta kultivoj si shtytës në punën time si kryetar komune por edhe në të gjitha veprimtaritë e mia për zhvillimin ekonomik, kulturor e shoqëror të Republikës së Kosovës dhe kombit shqiptar, ka thënë për gazetën, Bashota. Të dy ish luftëtarët e UÇK kanë qenë të shoqëruar nga një grup deputetësh të Parlamentit të Kosovës të cilët mbërritën me ftesë të kryebashkiakut gjirokastrit, Flamur Bime.