E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi "ok" ndryshimeve në qeveri, opozita mban peng Gjykatën Administrative

Kuvendi votoi vetëm me votat e maxhorancës dy dekretet e presidentit të vendit Bamir Topi për shkarkimin nga posti i ministrit të punës Anastas Duro si dhe dekretin për emërimin në këtë post të Viktor Gumit. Ish-zëvendësministri i Drejtësisë, ka marrë 73 vota pro dhe asnjë kundër nga deputetët e djathtë. Përsa i përket ligjit të Gjykatës Administrative, kuvendi ka dështuar sërish në miratimin e këtij ligji, pasi opozita i bojkotoi punimet e seancës plenare, votat e të cilës ishin të domosdoshme për miratimin e tij, pra 84 vota. Nisur nga ky fakt kryeministri Berisha gjeti rastin të sulmojë opozitën e cila sipas tij refuzon ligjin që zgjidh problemet e biznesit me administratën tatimore dhe akuzoi Edi Ramën që është i interesuar të mos miratohet ky ligj nga Kuvendi ndërsa i ka bërë thirrje edhe një herë opozitës që vijë në sallën e kuvendit për të mundësuar këtë votim. Opozita urdhërohet faktikisht nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, të cilit ky ligj nuk i lejon më ta trajtojë Bashkinë si oborrin e tij personal. Ky ligj nuk i lejon më që nga qindra e qindra firma ndërtimi në Tiranë të preferohen më së shumti dy prej tyre. P/ligji nuk i lejon kryetarit të Bashkisë që nga dhjetëra e dhjetëra studio projektimi në Tiranë vetëm dy prej tyre të marrin në një vit 59 leje ndërtimi, ka theksuar Berisha. Sipas kryeministrit, Rama e kundërshton këtë ligj pasi i pengon atij favorizimin e firmave të ndërtimit në dhënien e lejeve. Ky ligj nuk i lejon më Ramës që nga qindra firma ndërtimi në Tiranë, të preferohen vetëm 4 prej tyre. Ky ligj nuk i lejon kryetarit të bashkisë, që dhjetëra studio projektimi e qindra arkitekte të shkolluar në vend dhe jashtë, të rrafshohen dhe injorohen për kryeqytetin dhe vetëm dy studio të marrin 50 leje ndërtimi, ka theksuar Berisha. Kryeministri ka shtuar më tej se shpreson që disa nga partitë e tjera opozitare të ndryshojnë qëndrim dhe të mblidhen në një tjetër seancë për të kaluar ligjin. Duke shprehur keqardhje që nuk e votojmë sot këtë projektligj, mendoj se pavarësisht nga fushata elektorale, në rast se pala tjetër, ose LSI, apo ndonjë forcë tjetër politike, vendos t'i bashkojë votat me ne, të mblidhemi në sesion të veçantë për ato 84 vota dhe ta votojmë p/ligjin si detyrim dhe respekt ndaj biznesit, i cili ka nevojë të domosdoshme, theksoi ai. P/ligji "Për gjykatat administrative" është një nga draftet më të rëndësishme të reformës në drejtësi. Për hartimin e këtij p/ligji është marrë për bazë ekspertiza më e mirë ndërkombëtare, pasi, sipas ekspertëve të ministrisë së Drejtësisë, gjykimi i një mosmarrëveshje administrative është një risi për Shqipërinë. Komuniteti i biznesit në vend kërkoi miratimin gjatë këtij sesioni të p/ligjit "Për Gjykatat Administrative", duke e konsideruar atë si një mundësi për shqyrtimin në kohë dhe me efektivitet të çështjeve administrative. Sipas tyre, miratimi i këtij p/ligji i jep fund afateve të tejzgjatura dhe mungesën e specializimit në trajtimin e tyre, probleme, me të cilat bizneset ndeshen shpesh.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›