E Shtunë, 31 Tetor 2026

Orges Spahiu: Shpresojmë në sensibilizimin e strukturave shtetërore

Ilir Meta është i vetmi pushtetar që ka vizituar në spital poetin Xhevahir Spahiu, i cili prej thuajse një jave vuan prej ishemisë cerebrale. Përveç miqve, të afërmve, e dashamirësve, askush tjetër nuk është interesuar për këtë personalitet të letrave shqipe.

Lideri i LSI-së vizitoi dje në spitalin Nr. 5, në qendrën spitalore "Nënë Tereza", poetin Xhevhair Spahiu. Ai është interesuar te familjarët e mjekët për gjendjen shëndetësore të poetit, ndërsa ka deklaruar se "së bashku me mjekët do të bëjmë të pamundurën që gjendja e tij të përmirësohet". "Unë do të bisedoj edhe me ministren e Shëndetësisë dhe me ambasadorin tonë në Romë, që të bëhen të gjitha përpjekjet në radhë të parë nga ana e shtetit, sepse një qytetar i thjeshtë kërkon përgjegjësinë e shtetit në raste të tilla. Aq më tepër kur bëhet fjalë për një poet shumë të madh, për një akademik, për një personalitet, i cili ka shumë adhurues anembanë Shqipërisë, por edhe jashtë saj", u shpreh dje Meta. Por, deri tani, ai është i vetmi. Orges Spahiu, djali i poetit, tha dje se asnjë përfaqësues i qeverisë, përveç ministres së Shëndetësisë, Anila Godo, nuk është kujtuar për këtë personalitet të kulturës shqiptare, qoftë edhe nëpërmjet një mesazhi. Orgesi, djali i Xhevahir Spahiut, tha se të vetmit të interesuar për gjendjen e poetit janë miqtë e të afërmit e tij, të cilët janë mbledhur e po bëjnë të pamundurën për të. "Ne kemi nisur një epikrizë në disa spitale jashtë vendit, por kryesisht jemi fokusuar në Itali dhe tani mbetemi në pritje të një përgjigjeje përmes ambasadës", thotë Orges Spahiu. Ekipi i mjekëve vazhdon të mbajë gjendjen nën kontroll, megjithatë, kurimi jashtë vendit do të ishte zgjidhja më e mirë për stabilizimin e shëndetit të poetit. "Babai është më mirë, por nuk ka ndonjë ndryshim të madh në gjendjen shëndetësore të tij. Ne shpresojmë shumë që strukturat e shtetit të sensibilizohen disi e të japin ndihmën e tyre", u shpreh Orges Spahiu, djali i madh i poetit Xhevahir Spahiu.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›