Milan mendon për Bazanin
17/06/2005 Edhe pse Fabio Bazani, për momentin e ka tjetërkund mendjen, merkatoja e verës mund t’i ofrojë një gëzim të madh. Bazani është një tifoz i Milanit dhe me sa duket klubi kuqezi mund të sigurojë transferimin e tij, në rast se Hernan Krespo do të rikthehej në Londër. Nuk përjashtohet edhe rasti i largimit të Tomason. Marrëveshja me Sampdorian nuk pritet të sjellë shumë probleme, sepse Ançeloti ka gati shkëmbimin me Borielon, i cili gjithmonë i ka pëlqyer trajnerit Novelino. Në këtë mënyrë, emri i ri në merkaton e Milanit është pikërisht Fabio Bazani. Meqenëse marrëdhëniet me Çelsin, lidhur me Hernan Krespon po ngatërrohen akoma më shumë, pritet që klubi kuqezi nuk do të qëndrojë duarkryq, pa u interesuar për një alternativë zëvendësuese. Përveç Xhilardinos, i cili vetëm brenda pak ditësh pritet të vishet me fanelën e Milanit, tani ka filluar të flitet edhe për sulmuesin e Sampdorias. Nga ana tjetër, marrëdhëniet e Novelinos me Bazanin, nuk janë nga më të mirat, sepse Bazani ka braktisur skuadrën e tij për t’u bashkuar me Lacion, në formën e huasë, gjatë merkatos së dimrit. Sigurisht një fakt i tillë e bën akoma më të mundur largimin e tij nga Xhenova. Po ashtu fanela e Milanit ka mbetur përherë ëndrra e tij, skuadra, për të cilën ka bërë tifozllëk, qysh kur ishte fëmijë. Kështu, tani krejt papritur ëndrra e tij mund të bëhet realitet. Interesi i klubit xhenovez është për danezin Tomason, por shuma e 10 milionë eurove janë pak si shumë, për arkat e klubit të Sampdorias. Prandaj shkëmbimi me Borielon mund të jetë një alternativë e rëndësishme.