Kupa e Konfederatave, ja problemet e para
17/06/2005 Presidenti i FIFA-s, Sep Blater, është pritur me fishkëllima nga publiku gjerman, në stadiumin e Frankfurtit, përpara se ai të shpallte startimin e Kupës së Konfederatave. Megjithatë, presidenti zviceran nuk i ka komentuar shumë këto reagime, ndërkohë që është përgjigjur me zgjuarsi: “Mendoj se ne jemi miq në shtëpinë e miqve tanë”. Por, incidentin me Blaterin e kanë pasuar edhe disa probleme të tjera. Kështu, në stadiumin e Frankfurtit, ku Gjermnia zhvilloi ndeshjen e parë me Tunizinë, akustika e stadiumit paraqiti probleme serioze dhe deklaratat e të ftuarve kryesorë, pothuajse nuk u dëgjuan fare. Fansat e pranishëm janë detyruar të durojnë etjen e tyre, në pushimin midis pjesëve, pasi në ambientet e stadiumit mungonte plotësisht birra, ndërkohë që tifozet femra janë ankuar për mosfunksionim perfekt të të gjithë tualeteve. Nga ana tjetër, në tribunën e gazetarëve pati probleme me energjinë. Për t'u vlerësuar ishte shërbimi i kontrollit të biletave dhe ai i sigurisë. Ashtu siç ishte kërkuar nga Presidenti Organizativ i Botërorit 2006, Franc Bekenbauer, të gjithë të punësuarit në stadiume janë treguar të sjellshëm dhe të kulturuar me vizitorët.