Kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, takohet me Presidentin slloven, Turk
Kryetari i Bashkisë së Tiranës është takuar gjatë orëve të paradites me presidentin slloven Danilo Turk dhe me delegacionin që e shoqëronte. Pas një bisede për rreth një orë kryebashkiaku i Tiranës përgatiti një ceremoni simbolike për t’u uruar mirëseardhjen, ndërkohë që i ka dorëzuar presidentit slloven Danilo Turk dhe çelësin e Bashkisë së Tiranës. Presidenti i Sllovenisë, Danilo Turk, mbërriti për një vizitë zyrtare në Tiranë me lajmin se sapo kishte hedhur firmën mbi dokumentin e Parlamentit slloven për ratifikimin e Protokollit për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
Ulja e temperaturave, shtohen rastet e virozave te fëmijët
Ulja e temperaturave ka rikthyer radhët e gjata në Urgjencën e Pediatrisë. Dy ditët e fundit, ku moti është përkeqësuar ndjeshëm, kanë reflektuar edhe në shëndetin e fëmijëve. Urgjenca e spitalit të fëmijëve në kryeqytet është mbipopulluar nga të vegjlit, ndërsa mjekët po përballen me vështirësi në menaxhimin e rasteve të shumta që paraqiten brenda një 24 orëve. Problem shumë i madh për këtë spital mbeten kushtet jo të mira të shërbimit. Prindërit ankohen se nuk është aspak ngushëlluese të kurosh fëmijën në një dhomë të papastër. Prej muajit janar në të gjithë vendin është rritur ndjeshëm numri i të prekurve nga virozat. Epidemiologët kanë konfirmuar se statistikat janë më të larta se e njëjta periudhë e vitit të shkuar. Ndërkohë që moti pritet të jetë shumë i ftohtë edhe në ditët e ardhshme. Virozat e stinës së dimrit janë përhapur në të gjithë vendin, ku flitet se numri i të prekurve ka arritur deri në 15 mijë persona.
20 Shkurt 2009