E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana, peng i lojes politike, prefekti refuzon buxhetin e Bashkisë

Prag zgjedhjesh, buxheti shërben si “bllokim” politik për Ramën. Procedurat që duhet të ndiqen për miratimin e buxhetit për 2009-n

Emanuela Sako

Vazhdon loja politike për të penguar miratimin e buxhetit të Bashkisë së Tiranës për vitin 2009. Prefekti i Tiranës, Rruzhdi Keçi, ktheu mbrapsht projektbuxhetin e Bashkisë për këtë vit. Sipas tij, buxheti përmban disa pika, që kanë nevojë për ndryshime ose që nuk janë parashikuar fare në buxhet. Ai nuk e ka firmosur draftin, pasi në disa nene ai bie ndesh me ligjin për menaxhimin dhe funksionimin e pushtetit vendor. Ai shprehet se janë shkelur dhe procedurat gjatë votimit. Por, duket qartë se tashmë dalin në pah lojërat politike që bëhen për të bllokuar punën në Bashkinë e Tiranës. Në fillim buxheti nuk u votua dhe u kontestua nga anëtarët e Këshillit Bashkiak, përfaqësues të PD-së dhe të LSI-së, të cilët pretenduan për një hartim të parregullt të tij.
Situata
Tashmë që vendi është në prag zgjedhjesh parlamentare dhe situata politike, po vjen drejt “nxehjes”, loja politike po përdoret për të mbajtur pezull punët në Bashkinë e Tiranës. Duket se mënyra më e mirë e përdorur nga forcat politike, është që të mbajnë peng buxhetin e Tiranës. Bashkia e Tiranës, shpeshherë, në deklaratat e saj zyrtare, ka kërkuar ndërgjegjësimin e forcave politike për ta shmangur këtë pretekst dhe t’u hapin rrugë projekteve të nisura. Tashmë projekti do të kthehet në duart e Këshillit Bashkiak për të marrë një vendim të ri në nisjen e procedurave të tjera, të cilave duhet t’i nënshtrohet. Nuk dihet ende nëse buxheti do të merret për ndryshime nga Bashkia apo do të rivotohet.
Deklarata
Keçi deklaroi se Bashkia duhet ta rishikojë edhe një herë buxhetin dhe më pas do të vendoset për një votim tjetër. “Vendimi i Këshillit Bashkiak për miratimin e buxhetit në parim të vitit 2009 dhe buxhetit afatmesëm 2009-2011 nuk është konfirmuar nga prefekti i Qarkut Tiranë. Unë nuk i konfirmoj pesë nenet e buxhetit, të cilat nuk zbatohen”, - u shpreh Keçi.
Sipas prefektit të Tiranës, projektbuxheti do t’i kthehet sërish Këshillit Bashkiak, i cili duhet të vendosë nëse do ta marrë në konsideratë apo jo qëndrimin e prefektit. Por, në rast se Këshilli nuk do të mblidhet, atëherë çështja mund t’i kalojë dhe gjykatës.
Buxheti u votua ditë më parë, me 29 vota pro, nga të cilat 22 janë dhënë nga anëtarët socialistë dhe të PSD-së dhe 7 vota të tjera nga partitë e vogla. Votimi është shpallur i vlefshëm nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, ndërsa ka hasur në kundërshtimin e kryetarit të Këshillit Bashkiak, i cili e ka konsideruar të pavlefshëm votimin. Kreu i Bashkisë e ka cilësuar si një sulm politik për të penguar zhvillimin e kryeqytetit dhe punën e Bashkisë.

Çfarë parashikon buxheti i Bashkisë së Tiranës për 2009-n

Projektbuxheti i Bashkisë së Tiranës, i përcaktuar për vitin 2009, parashikon ndryshimin e Tiranës në të gjitha zonat. Buxheti i Bashkisë parashikon ndërhyrje në të gjithë problematikën me të cilën hasen çdo ditë qytetarët. Ekspertët e Bashkisë së Tiranës kanë detajuar ndërhyrjet që do të bëjë Bashkia dhe shumën e akorduar për çdo sektor. Kryeqyteti do të preket nga ndryshime të mëdha përgjatë gjithë territorit, që është përcaktuar nga vetë qytetarët. Buxheti i Bashkisë për vitin 2009 arrin në shifrën 7.6 miliardë lekë, që është menduar të shkojnë për shpenzime operative dhe kapitale për të gjitha programet e përfshira. Buxheti parashikon ndërhyrje të mëdha në disa sektorë problematikë për qytetarët në të 11-të njësitë bashkiake. Në dëgjesat publike që janë zhvilluar mes kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe qytetarëve janë përcaktuar dhe zonat apo objektet në të cilat duhet të kryhen ndërhyrje. Projekti i Bashkisë së Tiranës për rregullimin e territorit do të prekë qendrën e Tiranës dhe komunat përreth, të cilat do të marrin funksione të reja apo do të përmirësojnë kushtet e atyre ekzistuese. Një pjesë e madhe e zonave informale dhe ato që e kanë të nevojshme përshtatjen e kryeqytetit me parametrat e një qyteti europian do t’u nënshtrohet një sërë ndryshimesh. Zonat më të prekura nga ndryshimet janë periferitë dhe kryesisht zona e Kamzës dhe Bregu i Lumit, apo shtrirja që do të ketë ndërtimi i Unazës së Madhe.

20 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›