E Diel, 1 Nëntor 2026

Gratë shtatzëna, të painformuara bashkë me to edhe mjekët e familjes

Në vendin tonë, situata e shëndetit të nënës dhe fëmijës, megjithëse ka përmirësime, siç është edhe ulja e treguesve të vdekshmërisë amtare dhe foshnjore, krahasuar me 15 vjet më parë, ende mbetet problematike duke e radhitur Shqipërinë ndër vendet me vdekshmëri të lartë amtare e foshnjore në rajonin e Europës. "Ndër shkaqet e lidhura me sistemin shëndetësor mund të përmendim cilësinë jo të mirë të kujdesit shëndetësor të ofruar gjatë shtatzënisë, lindjes dhe pas lindjes për nënën dhe foshnjën e saj", tha dje Petrit Vasili, ministri i Shëndetësisë, gjatë një takimi me specialistë të fushës ku u diskutua edhe për mundësi të reja përmirësimi, edhe në saj të bashkëpunimit me një projekt spanjoll. Sipas Vasilit, aftësitë dhe njohuritë jo të mira dhe në nivelin bashkëkohor të personelit shëndetësor, veçanërisht të atij që punon në kujdesin shëndetësor parësor për të kryer aktivitetet e kërkuara sipas standardeve të OBSH-së lidhur me kujdesin për nënën dhe fëmijën. Shkak i problemeve të nënës dhe fëmijës, sipas specialistëve, është edhe mungesa në standarde, udhëzime, protokolle referimi për kujdesin shëndetësor.

"Organizimi i shërbimeve, lidhjet funksionale ndërmjet niveleve të kujdesit dhe sistemeve të referencës, qendrat shëndetësore, maternitetet, repartet pediatrike të spitaleve janë të pakënaqshme", tha ministri. Po ashtu, promocioni edukimi shëndetësor në familje dhe komunitet lidhur me shëndetin e nënës dhe fëmijës ende nuk është në nivelin e duhur që ka bërë që familjet, gratë nuk kanë, ose kanë informacion jo të mjaftueshëm për shëndetin e tyre dhe të fëmijëve të tyre.

Sipas deklaratave të djeshme, Ministria e Shëndetësisë në strategjinë e saj për reformimin e sistemit shëndetësor i ka kushtuar një prioritet përmirësimit të vazhdueshëm të shëndetit të grave dhe fëmijëve dhe cilësisë së jetës së tyre, duke ndikuar në uljen progresive të vdekshmërisë dhe sëmundshmërisë së tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›