E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjobat e vendosura për shkelje administrative



Gjobat e vendosura për shkelje administrative, që lidhen me një detyrim tatimor, nuk
mund të kalojnë 100 për qind të detyrimit tatimor. Gjobat zbatohen në rastet kur tatimpaguesi ndryshon deklaratën fillestare, sipas kërkesave të nenit 67 të ligjit. Por në asnjë rast gjobat në total nuk duhet të jetë më të mëdha se 25% e detyrimit të papaguar. Organet tatimore duhet të kontrollojnë punëdhënësin për të verifikuar nëse deklaratat dhe pagesat e kontributeve të detyrueshme janë të plota dhe të sakta. Të gjithë tatimpaguesit duhet të deklarojnë në organin tatimor përkatës të punësuarit (përfshirë dhe punonjësit e papaguar të familjes së personit fizik me të cilët ai punon e bashkëjeton ligjërisht), që fillojnë punë për herë të parë te subjekti apo të punësuar rishtazi pranë tij. Ky deklarim duhet të bëhet të paktën 24 orë përpara fillimit të punës së të punësuarve. Në mbështetje të nenit 119 të ligjit nr.9920, datë 19.5.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, punonjësit e administratës tatimore, të autorizuar me shkrim, kryejnë verifikime e kontrolle në vendndodhjen e biznesit lidhur me deklarimin e numrit të punonjësve. Nëse nga verifikimi dhe kontrolli në vendndodhjen e biznesit rezulton se tatimpaguesi nuk ka deklaruar në organin tatimor çdo të punësuar, që fillon punë për herë të parë te subjekti apo të punësuar rishtazi pranë tij, të paktën 24 orë përpara fillimit të punës (përfshirë dhe punonjësit e papaguar të familjes së të vetëpunësuarit me të cilët ai punon e bashkëjeton), përveç detyrimit për pagimin e shumës së kontributeve të papaguara, subjekti përkatës detyrohet të paguajë edhe një gjobë prej 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekësh, kur është subjekt i biznesit të vogël dhe 100.000 (njëqind mijë) lekësh, për biznesin e madh me TVSH, për çdo rast mosdeklarimi. Për rastet e konstatuara nga zyra lidhur me shkeljen e afatit të deklarimit të punonjësve, që fillojnë punë për herë të parë te subjekti apo të punësuar rishtazi, tatimpaguesi punëdhënës, përveç detyrimit për pagimin e shumës së kontributeve të papaguara, detyrohet të paguajë gjobë, sipas nenit 113 të ligjit nr.9920 datë 19.5.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, për çdo deklaratë të dorëzuar jashtë afatit 24-orësh. Të larguarit nga puna tatimpaguesi duhet t’i deklarojë zyrtarisht në organin tatimor brenda 10 ditëve nga data e largimit, në të kundërt detyrimet për kontributet i vlerësohen deri për datën e deklarimit në organet tatimore.

Kundërvajtjet administrative në përdorimin e pajisjeve fiskale

Tatimpaguesi, person juridik ose fizik, tregtar, dënohet në rast se: a) nuk instalon pajisjen fiskale për regjistrimin e pagesave me para në dorë: i) herën e parë të konstatimit të mosinstalimit të pajisjes fiskale, për të cilën është përcaktuar një afat vendosjeje deri në 10 ditë pune, me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë; ii) herën e dytë të konstatimit të mosinstalimit të pajisjes fiskale, pas mosrespektimit të afatit të parë 10-ditor dhe kur për këtë pajisje është përcaktuar një afat vendosjeje tjetër deri në 10 ditë,
pas vendosjes së gjobës së parë, sipas nënndarjes “i” të shkronjës “a” të kësaj pike, me gjobë në masën 500.000 (pesëqind mijë) lekë; iii) pas kësaj periudhe, sipas nënndarjes “ii” të shkronjës “a” të kësaj pike, me pezullim të veprimtarisë deri në 6 muaj; iv) në rastet e mosvendosjes së pajisjes fiskale, me mbyllje të plotë të veprimtarisë; b) nuk lëshon kupon tatimor për qarkullimin e realizuar të mallrave apo të shërbimeve, për
çdo rast: i) për herën e parë, me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë; ii) për herën e dytë, me gjobë në masën 500.000 (pesëqind mijë) lekë; iii) për herën e tretë, me mbyllje të veprimtarisë për 6 muaj; c) lëshon një biletë, që nuk përmban elementet e përcaktuara në këtë ligj për kuponin tatimor, me gjobë në masën 30.000 (tridhjetë mijë) lekë; ç) lëshon kupon tatimor, ku ka shënuar një vlerë të ndryshme nga vlera e çmimit të afishuar,
me gjobë në masën 30.000 (tridhjetë mijë) lekë; d) nuk afishon në një vend të dukshëm një poster, që tregon detyrimin e blerësit të mallrave apo të përfituesit të shërbimit, për të kërkuar kupon tatimor, me gjobë në masën 20.000 (njëzet mijë) lekë; dh) nuk mban kontrollin e gjurmës së kuponit tatimor në mjedisin e ofrimit të mallrave apo të shërbimeve, me gjobë në masën 30.000 (tridhjetë mijë) lekë; e) nuk bën faturë për qarkullimin e realizuar të mallrave apo të shërbimeve të ofruara, me dënim, sipas përcaktimeve të nenit 124 të këtij ligji; ë) nuk mban libër llogarie për qarkullimin e kryer të mallrave, me dënim, sipas përcaktimeve të nenit 118 të këtij ligji; f) nuk merr me qira apo nuk regjistron pajisje fiskale rezervë, në rastet kur ky ligj e parashikon si detyrim, me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë; g) nuk mban dhe mirëmban në kushte pune pajisjet fiskale, me gjobë në masën 80.000 (tetëdhjetë mijë) lekë; gj) nuk njofton menjëherë për defektin e ndodhur në pajisjen fiskale dhe nuk plotëson në rregull librezën fiskale të defekteve, me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë. 2. Konstatimi, shqyrtimi dhe dënimi i shkeljeve të parashikuara në këtë nen bëhen nga organet tatimore të juridiksionit, ku tatimpaguesi ushtron veprimtarinë ose kryen shkeljet. 3. Moslëshimi i biletave të shërbimit me vlerë të parashtypur, të përdorura në sektorë të ndryshëm, si transport, turizëm, art, kulturë etj., dënohet me gjobë në masën 10.000 (dhjetë mijë) lekë për çdo biletë. Tatimpaguesit që lëshojnë bileta me vlerë të parashtypur, me numër serial, të emetuara, kontrolluara dhe shpërndara nga ente publike, nuk janë të detyruar të instalojnë e përdorin pajisje fiskale.

15 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›