E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbivendosjet, vendimet e kryeregjistruesit mbi ankesat nga qytetet



Laureta Rryçi

Ankesat për mbivendosje vazhdojnë të jenë një ndër problemet kryesore në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Kryeregjistruesi Arben Qirjako sapo ka firmosur vendimin për disa nga këto ankesa që kanë ardhur nga qytete të ndryshme. Gazeta “Albania” ka mundur të sigurojë të plota vendimet dhe sjell në numrin e sotëm jo vetëm verdiktin se kush njihet pronar, por edhe palët që janë në konflikt me njëra-tjetrën. Në ankesat e fundit vihet re që shpeshherë regjistrimet janë pezulluar nga drejtuesit e zyrave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Edhe për këto raste, Qirjako, pasi ka shqyrtuar dokumentacionin për to, ka mbajtur qëndrime të ndryshme, duke lënë herë në fuqi vendimin e vartësit të tij dhe herë duke i shfuqizuar ato.
Ankesat
Ankesat kanë ardhur nga qytete të ndryshme të vendit, duke vërtetuar dhe një herë gjeografinë e problemit të titujve të pronësisë në vendin tonë. Pak kohë më parë, kreu i Zyrës Qendrore të Pasurive të Paluajtshme, Arben Qirjako, dha alarmin se me regjistrimin e pronave ishte abuzuar duke krijuar kështu dhjetëra mbivendosje. Sipas këtij urdhri, në të gjitha rastet ku figuron se pasuria e fituar me “Akt të marrjes së tokës në pronësi” figuron e regjistruar në regjistrat e zyrës së regjistrimit, mbi bazën e dublikatës do të pezullohet deri në verifikimin nga ana e regjistruesit për përputhshmërinë e aktit me të cilin është bërë regjistrimi. Kjo përputhshmëri përfshin Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi të së njëjtës familje bujqësore, nëse ndodhet në zyrën e regjistrimit, si dhe të dhënat që tregojnë dokumentet e tjera mbi bazën e të cilave është lëshuar ky akt. Pas këtij urdhri, në çdo rast që do të paraqitet në ZVRPP për regjistrim me dublikata, regjistruesi duhet të refuzojë këtë regjistrim. Një kopje e këtij urdhri është afishuar në ambientet e brendshme dhe të jashtme të ZVRPP-ve, një kopje u është dërguar qarqeve, komunave, bankave të nivelit të dytë që operojnë në treg, si dhe rast pas rasti personave të interesuar. Qeveria miratoi vetëm pak kohë më vonë një ligj që përcaktoi me detaje procedurën që do të ndiqej nga zyrat e hipotekës për të fshirë të gjitha regjistrimet me mbivendosje.
Ngërçi
Problem tjetër është bërë dhe verifikimi i titujve të pronësisë. Ky proces po mban peng në të gjithë vendin procesin e fshirjes së mbivendosjeve. Kështu që ende pa u gëzuar mirë, pronarët e ligjshëm sërish nuk mund të quhen si të tillë pa mbaruar edhe një kalvar tjetër pritjeje për të marrë certifikatën e pronësisë. Burime pranë Zyrës qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme pohuan se kohët e fundit procesi i fshirjes së mbivendosjeve është kthyer në një ngërç ligjor. Duket se hartuesit e ligjit për verifikimin e titujve të pronësisë nuk i kanë bërë mirë kalkulimet që të mos bllokojnë procesin e regjistrimit të pronave. Me gjithë vrullin që pati nisur procesi i mbivendosjeve, sërish përgjigjja përfundimtare duke përcaktuar pronarin e ligjshëm do të vonojë dhe për shumë kohë tjera. Kryeregjistruesi ka saktësuar në vendimet e tij të fundit mbi ankimimet për mbivendosjet se këto prona pezullohen përkohësisht të regjistrohen për shkak se u mungon vendimi për verifikimin e titujve të pronësisë. Edhe pse mund të jesh pronari i ligjshëm, nga momenti në moment rrezikohesh t’i futesh “valles” për ta vërtetuar pronën si tënden. Ligji për verifikimin e titujve të pronësisë ka përcaktuar se për çdo ankesë menjëherë bllokohet prona deri në saktësimin e pronarit të ligjshëm. Por, edhe nëse nuk i ke hyrë kësaj valleje, nëse ke probleme me regjistrimin e pronës për shkak të mbivendosjeve, sërish vendimi i kryeregjistruesit të detyron t’i drejtohesh për verifikim komisionit vendor për verifikimin e titujve të pronësisë. Derisa të marrë vendimin nga Komisioni Qendror për Verifikimin e Titujve të Pronësisë, më pas, nëse s’je dakord, mund t’i drejtohesh gjykatës për ta ankimuar këtë vendim. Në gjykatë duhet të kalosh të tria hallkat për të marrë vendimin e formës së prerë, proces që në rastet më të mira zgjat më shumë se katër vjet. Më tej, nëse sërish nuk jeni dakord, i drejtoheni Gjykatës së Strasburgut me objekt shfuqizimin e vendimeve të gjykatave shqiptare për objekt pronën. Për shkak këtij ngërçi që është krijuar rrezikoni të ndiqni gjithë këtë procedurë të stërzgjatur, edhe pse mund të jeni pronari i ligjshëm.

Fier
Kërkues: Ilirian Malile
Kundër: Enver Beqirit
Vendimi: Fshirjen e Pasurisë së Paluajtshme me numër hipotekor 669, datë 22.06.2000, objekt shtëpi banimi i ndodhur në lagjen “Kastriot” në ngarkim të Enver Beqirit

Elbasan
Kërkues: ZVRP Elbasan
Kundër: Misir Kotorri dhe Edmond Veizi
Kërkesa: Fshirje e regjistrimit hipotekor në emër të Misir Kotorrit si dhe fshirjen në sistemin e ri të regjistrimit nëpërmjet sistemit të ri të pasurisë që përshkruhet truall me sipërfaqe 200 metra katrorë nga ku ndërtesë 58 metra katrorë është në emër të Edmond Veizit.
Vendimi: Urdhërohet kryerja e fshirjes së regjistrimit të kryer me numër regjistri hipotekor 682 datë 03.11.1997 në emër të Misir Kotorrit. Kufizimin e veprimeve ndaj pasurisë nr 3127 me përshkrim truall me sipërfaqe 200 metra katrorë deri në momentin e paraqitjes nga ana e Misir Kotorrit të një akti ligjor të fitimit të pronësisë mbi këtë pasuri të detyrueshme për regjistrim.

Krujë
Kërkues: ZVRP Krujë
Kundër: Besim Shehut
Kërkesa: Fshirje të regjistrimit të pasurisë si objekt banimi 60 metra katrorë dhe sipërfaqe trualli 258.26 metra katrorë të ndodhura në lagjen “Adem Gjeli”, Fushë-Krujë.
Vendimi: Shfuqizimin e vendimit të regjistruesit të ZVRP-së së Krujës. Vendosjen e kufizimeve të veprimeve mbi këtë regjistrim deri në paraqitjen e akteve të fitimit të pronësisë së personit në favor të së cilit është bërë ky regjistrim, përsa i përket truallit 258.26 metra katrorë.

Krujë
Kërkesa: ZVRP Krujë
Kundër: Agron Çela, Neti Çela, Merita Çela, Fatbardh Çela, Vanina Çela, Julius Çela
Kërkesa: Fshirje të regjistrimit të dy pasurive të paluajtshme që rezultojnë të jenë shtëpi banimi
Vendimi: Shfuqizimin e vendimit të regjistruesit të ZVRP-së së Krujës. Vendosjen e kufizimeve të veprimeve mbi këto dy regjistrime derisa të paraqiten aktet e fitimit të pronësisë së personave në favor të të cilëve janë bërë dhe regjistrimet.

Shkodër
Kërkues: Shtjefën Dodaj
Kundër: Albert Dodaj
Kërkesa: Fshirje të regjistrimit të pasurisë me sipërfaqe 2760 metra katrorë “arë” në favor të Albert Dodajt.
Vendimi: Nuk miratohet vendimi i ZVRP-së së Shkodër për njohjen si pronar të pasurisë me sipërfaqe 2760 metra katrorë në favor të Albert Dodajt. Urdhërohet kjo zyrë regjistrimi i pasurive të bëjë korrigjimet e duhura në lidhje me këtë regjistrim.

Durrësi
Kërkues: Vendimi ZVRP Durrës
Kundër: Arjan Durrësi, Nexhmije Durrësi, Parashqevi Bardhoku, Natasha Pjetri, Stefan Xhavara, Përparim Bulo, Vilsana Bulo, Arta Subashi
Kërkesa: Fshirje të regjistrimit të pasurisë me numër hipotekor 533 dhe me numër hipotekor 301
Vendimi: Miratohet vendimi i ZVRP-së së Durrësit duke urdhëruar fshirjen e pjesshme të sipërfaqes truall 112 metra katrorë në ngarkim të subjekteve, Parashqevi Bardhoku, Natasha Pjetri, Stefan Xhavara, Përparim Bulo, Vilsana Bulo, Arta Subashi.

Durrës
Kërkues: Mikel Papakostandini, Hardhica Theohari, Urani Bashi, Frida Theohari, Valentina Rombi, Tatjana Bozo, Thoma Theohari, Elvira Bitri
Kundër: Miguel Magjistari, Elin Magjistari, Martin Magjistari, David Leka, Dhurata Magjistari, Silvana Leka, Maksim Haxhiu, Merushe Haxhiu, Thellenca Koçi, Lumturi Xhahija, Xheni Agovi.
Kërkesa: Fshirje të pjesshme të regjistrimit të pasurisë të regjistruar me numër hipotekor 112.
Vendimi: Miratimin e vendimit të ZVRP-së të Durrësit. Fshirjen e pjesshme të pasurisë për të cilën është bërë kërkesa.

Sarandë
Kërkues: ZVRP Sarandë
Kundër: Velo Isufi
Kërkesa: Fshirje të regjistrimit të pasurisë të sipërfaqes 2800 metra katrorë.
Vendimi: Mos miratimin e ZVRP-së së Sarandës. Kufizimin e veprimeve mbi pasurinë me sipërfaqe 2800 metra katrorë deri në vlerësimin e ligjshmërisë AMTP nga organet kompetente.

Sarandë
Kërkues: ZVRP Sarandë
Kundër: Bedri Husit
Kërkesa: Fshirjen e regjistrimit të pasurive të paluajtshme me sipërfaqe 1850 metra katrorë
Vendimi: Mos miratimin e ZVRP-së së Sarandës. Kufizimin e veprimeve mbi pasurinë me sipërfaqe 2800 metra katrorë deri në vlerësimin e ligjshmërisë AMTP nga organet kompetente.

15 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›