Ndryshojnë procedurat tatimore, shtohen gjobat dhe sanksionet për biznesin
Ervin KOÇI
Qeveria ka bërë ndryshimet e fundit në ligjin nr.9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë, të ndryshuar”, me propozim të Ministrisë së Financave. Ndryshimet prekin disa nga nenet më të debatuara kohët e fundit mes qeverisë dhe biznesit, siç janë ato për ç’regjistrimin ose regjistrimin në organet tatimore, rimbursimi ose jo i TVSH-së për biznesin, deklarimi i punonjësve të punësuar në sektorin privat, si dhe përdorimi i pajisjeve fiskale nga ana e subjekteve private. Që të gjitha këto nene kanë ndryshuar në përmbajtje, ku spikasin sanksionet dhe gjobat që janë shtuar për subjektet private në rastet kur konstatohen shkelje ose kundërvajtje.
Çregjistrimi i tatimpaguesve
Tatimpaguesit, të regjistruar nga Administrata Tatimore para hyrjes në fuqi të ligjit nr. 9920 datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë” dhe ligjit “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”, të cilët nuk disponojnë vendim gjykate për ushtrimin e së drejtës për veprimtari ekonomike, apo nuk janë të regjistruar në regjistrin tregtar, të regjistruar nga AT-ja për qëllime administrimi dhe për vjeljen e detyrimeve tatimore, siç janë personat e tatueshëm të regjistruar si filiale, investitorët (individ), persona të tjerë të tatueshëm dhe subjektet e çregjistruar nga regjistri tregtar me vendim gjykate dhe të paçregjistruar ende nga regjistri tatimor, do të çregjistrohen nga AT-ja. Personat e regjistruar nga AT-ja, regjistrimi i të cilëve nuk është parashikuar në ligjin “Për QKR-në”, do të çregjistrohen nga AT-ja, kur personi e kërkon këtë ose kur nuk është më i detyruar për të qenë i regjistruar, pasi të jetë përmbushur qëllimi për të cilin janë regjistruar. Për deklaratat tatimore, kur ligjërisht kërkohet dorëzimi i deklaratës tatimore për atë tatimpagues dhe për atë lloj tatimi, personi i tatueshëm është përgjegjës deri në furnizimin e fundit të kryer ose deklaratën e fundit të dorëzuar, moment i cili do të jetë dhe momenti i çregjistrimit nga drejtoria rajonale tatimore. Për tatimpaguesit e çregjistruar me vendim gjykate, organi tatimor çregjistron këto subjekte me efekt nga data që subjekti ka pasur të drejtë të çregjistrohej, data e vendimit të gjykatës ose data
e dorëzimit të deklaratës së fundit të dorëzuar. Do të çregjistrohen ata tatimpagues, për të cilët deri në momentin që do të kryhet çregjistrimi nga organi tatimor nuk rezulton apo nuk është konstatuar ndonjë shkelje e klasifikuar si e tillë sipas këtij ligji. Drejtoria rajonale tatimore bën verifikimet përkatëse të çregjistrimit. Për detyrimet tatimore të konstatuara pas çregjistrimit, që u përkasin periudhave tatimore para dhe pas momentit të çregjistrimit, këta subjekte janë përgjegjës.
Rimbursimi i TVSH-së
Personi i tatueshëm i regjistruar për TVSH-në, i cili kërkon rimbursim të tepricës së kreditimit tatimor, kur janë përmbushur kushtet e përcaktuara në nenin 50 të ligjit nr.7928, datë 27.04.1995 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar” të ndryshuar, ka të drejtë të paraqesë pranë drejtorisë rajonale tatimore kërkesën për rimbursimin e TVSH-së.
Kërkesa për rimbursim do të thotë: 1. Plotësimi i rubrikës “Kërkesë rimbursimi i tepricës së TVSH-së së zbritshme nga muaji i kaluar” në formularin e deklarimit dhe pagesës së TVSH-së; 2. Plotësim i formularit “Kërkesë për rimbursim” sipas modelit bashkëngjitur udhëzimit nr.17, datë 13.05.2008 “Për TVSH-në”; 3. Kërkesë me shkrim, në të cilën tatimpaguesi kërkon rimbursimin e TVSH-së dhe përcakton destinimin e kësaj shume, e cila ose kërkohet për t’u rimbursuar në llogarinë e tatimpaguesit, ose kërkohet për t’u kaluar nga drejtoria rajonale tatimore për likuidimin e detyrimeve të tjera të tatimpaguesit. Për shembull nëse një tatimpagues rezulton me tepricë kreditore për TVSH-në e mbartur nga periudha gusht në periudhën shtator 2009 (deklaruar me formularin e deklarimit dhe pagesës shtator 2009) dhe kjo tepricë është mbi 400.000 lekë dhe është rrjedhojë e mbartjes së TVSH-së për tre periudha radhazi (formulari i deklarimit dhe pagesës i muajve qershor- korrik- gusht) tatimpaguesi duhet të plotësojë rubrikën “TVSH i zbritshëm i mbartur nga muaji i kaluar” dhe njëkohësisht
rubrikën “kërkesë për rimbursim të TVSH-së”. Krahas kësaj, tatimpaguesi duhet të plotësojë edhe një kërkesë me shkrim, të cilën e protokollon në drejtorinë rajonale tatimore përkatëse, ku evidenton edhe destinimin e shumës për t’u rimbursuar. Me administrimin e kësaj kërkese, drejtoria rajonale tatimore, brenda një periudhe 30-ditore nga data e regjistrimit të saj në protokollin e organit tatimor, duhet të verifikojë
pretendimin e tatimpaguesit. Nëse pas verifikimit të pretendimit, plotësohen kushtet për rimbursim të TVSH-së, drejtoria rajonale tatimore duhet të kryejë përmbushjen e kërkesës së tatimpaguesit ose duke rimbursuar shumën në llogarinë e tatimpaguesit, ose duke e kaluar shumën për llogari të detyrimeve tatimore të ardhshme të tij. Në çdo rast, administrata tatimore njofton me shkrim tatimpaguesin.
Kërkesë për rimbursim
Në rastin kur tatimpaguesi e kërkon, radha e kompensimit të detyrimeve (sipas llojit të tyre) duhet të përcaktohet nga personi i tatueshëm, si dhe përparësia e kompensimit do të bëhet sipas plotësimit (radhitjes) së rubrikave për llojin e tatimit në formularin “Kërkesë për rimbursim”, i cili plotësohet në momentin kur tatimpaguesi kërkon rimbursimin e shumës së TVSH-së. Në rastin kur personi i tatueshëm nuk ka detyrime të tjera tatimore dhe drejtoria rajonale nuk ka rimbursuar në llogarinë e tij shumën e miratuar për t’u rimbursuar, pasi janë plotësuar kushtet, tatimpaguesit i lind e drejta e mospagesës së detyrimeve tatimore të periudhave të ardhshme, deri në masën e shumës së TVSH-së që kërkohet për t’u rimbursuar. Në këtë rast, drejtoria rajonale tatimore shumën e parimbursuar e kalon për likuidim të këtyre detyrimeve. Data e deklarimit të deklaratës tatimore fillestare në të cilin ka lindur detyrimi për t’u paguar (dhe i papaguar), do të konsiderohet si datë për kalimin e shumës së rimbursueshme për llogari të këtij detyrimi.
Apelimi
Në rastin kur administrata tatimore ka verifikuar, vlerësuar dhe njoftuar me shkrim
tatimpaguesin, se nuk plotësohen kushtet ligjore për rimbursimin e TVSH-së, duke dhënë edhe sqarimet përkatëse, tatimpaguesi nuk mund të pretendojë t’i rimbursohet TVSH-ja e kërkuar për rimbursim e as të kalojë TVSH-në e pretenduar për t’u rimbursuar për llogari të detyrimeve të tjera. Në këtë rast tatimpaguesi mund të ndjekë të gjitha procedurat ligjore të apelimit. Kompensimi i detyrimit për t’u paguar (detyrim sipas vetë-deklarimit me deklaratën tatimore fillestare) me shumën e TVSH-së së rimbursueshme, do të bëhet me datën e deklarimit të deklaratës tatimore fillestare vetëm në rastin kur detyrimi i papaguar me këtë deklaratë i përket një periudhe tatimore pas periudhës në të cilën është miratuar rimbursimi dhe vetëm për detyrim të papaguar sipas deklaratës tatimore fillestare. Deklarimi sipas afateve ligjore të përcaktuara sipas këtij ligji apo ligjeve specifike është i detyrueshëm për t’u zbatuar në çdo rast, përndryshe mosdeklarimi në kohë do të bëhet shkak për llogaritjen e kamatvonesave dhe gjobave sipas këtij ligji edhe për pagesën e detyrueshme nëse tatimpaguesi do të ketë sipas deklarimit.
15 Mars 2010