PS: Prokuroria të zbardhë tenderin e blerjes së “ARMO”
Partia Socialiste kërkon nga prokuroria të bëjë publike ecurinë e hetimeve për tenderin e blerjes së “Armo”-s. Deputeti i kësaj partie Erion Braçe e vlerësoi blerjen si një operacion korruptiv që shkel rëndë ligjin dhe konkurrencën. Braçe akuzoi organet e drejtësisë se nuk kanë vepruar për të zbardhur këtë operacion korruptiv dhe ndëshkuar zyrtarët e përfshirë në të, sikurse u shpreh ai. “Parlamenti u detyrua me dhunë të votonte për të ratifikuar një kontratë që materializonte një proces nën hetim, në shenjë presioni ndaj hetuesve, por edhe si një veprim garantues për fshirje të përgjegjësisë individuale të çdo zyrtari, përfshirë në këtë proces mu në mes të përgjegjësisë kolegjiale, marrë vullnetarisht nga Kuvendi! Për një vit, askush nuk dëgjoi më për këtë hetim edhe pse shumë fakte të rënda dolën në dritë. Sot, ne duam të dimë: Çka ndodhur me këtë hetim? Sot, ne duam të dimë deri ku kanë shkuar hetimet? A kanë përfshirë ato gjithë operacionin, nga procedurat e garës, shpallja e fituesit, negocimi i kontratës, kontrata, pagesa, transferimi i pronës; gjithnjë në raport me ligjin për privatizimin e “Armo”-s dhe ligjet e tjera në fuqi, duke nisur nga ai “Për Buxhetin e Shtetit”. Sot, ne duam të dimë a është hetuar mbi identitetin juridik të kompanive të lidhura në konsorciumin përfitues, palë kontraktuale me Qeverinë e FAMILJES, por edhe ortak me Qeverinë Shqiptare që vazhdon të ketë 15% të aksioneve në këtë kompani”, tha Braçe.