Pranimet në universitete, Kule u kërkon fakulteteve kriteret seleksionuese
Fakultetet e Universitetit të Tiranës pritet që vitin e ardhshëm akademik të vendosin kritere specifike për pranimet. Shkak për vendosjen e këtyre kritereve seleksionuese janë bërë pranimet jocilësore në vite. Pikërisht për të rritur cilësinë e pranimeve në universitete, rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule u ka kërkuar fakulteteve që të sjellin kriteret që mund të vendosin për pranimet. Sipas ligjit të Arsimit të Lartë, kriteret specifike për pranimet në universitete duhet të propozohen një vit para, në mënyrë që kandidatët të njihen me to. “Meqenëse gjithë udhëzimet që kishim nuk e plotësonin këtë afat ligjorë, këtë vit nuk do të aplikohen kritere të tjera të veçanta”,- pohon Kule. Javën e ardhshme pritet të bëhet edhe shpallja përfundimtare e fituesve për në universitete. Rektori i UT-së bën të ditur se janë marrë të gjitha masat përsa i përket infrastrukturës dhe pedagogëve. I vetmi problem m e të cilin do të përballen studentët gjatë vitit të ri akademik është se procesi mësimor do të zhvillohet me turne. Për këtë Kule sqaron se do të zgjidhen orare të përshtatshme mësimi në orët e pasdites në mënyrë që studentët të dalin nga auditori para orës 8 të mbrëmjes. Gjithashtu, ai bën të ditur se për të përballuar fluksin e studentëve në auditorë Universiteti i Tiranës ka kërkuar marrjen e disa ambienteve me qira. Deklaratat e mësipërme Kule i ka bërë dje, gjatë nënshkrimit të kontratës së punës me dy pedagogë, të cilët nuk iu nënshtruan konkursit pasi kishin tituj doktorature. Dy pedagogët e rinj të Universitetit të Tiranës, të pranuar pa konkurs, janë Edvin Prifti në Fakultetin e Mjekësisë dhe Sokol Abazi në Shkencat e Natyrës.
J. Tashi
4 Shtator 2008