E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjobat që u paguajmë pseudodëshmorëve

Nëntori i këtij viti risolli në pah kundërshtitë lidhur me vlerësimin e të ashtuquajturës Luftë Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe “dëshmorëve” të vlerësuar si të tillë. Por për turpin tonë, sërish, pjesa më qesharake e debatit dhe kundërshtive, në fundore u reduktua në synimin e mbrojtësve të tezës së “Luftës së mbështetësve të LANÇ dhe dëshmorëve të saj”, jo vetëm për të siguruar në vijimësi mbështetjen politiko-elektorale për të majtët e opozitës, por edhe të pagesës, po në vijimësi, të do pension-gjobave që rëndojnë mbi buxhetin e shqiptarëve të varfër, në formë shpërblimesh për stërnipat dhe skatërnipat e të të cilësuarve “dëshmorë të atdheut”. I bindur se për ne shqiptarët e këtej kufijve, LDB nuk është tjetër veçse periudhë-epopeja e pushtimit të Shqipërisë londineze dhe e luftës civile pasuese, filluar nga komunistët për pushtet, nuk e kam të vështirë që, të vdekurit që përbëjnë bilancin njerëzor të kësaj lufte, t’i ndaj në tre grupime: 1-dëshmorët e njimendtë; 2 - viktimat e pafajshme dhe; 3-kriminelët, që, për arsye të ndryshme, humbën jetën, që nga 7 prilli 1939 e deri më 29 nëntor 1944. Dhe këtu nuk kam ndërmend të përfshij dy grupimet e fundit (viktimat dhe kriminelët), të pas 29 nëntorit 1944, të cilët, për analogji, nuk bëjnë tjetër veçse më vërtetojnë tezën e luftës civile që vazhdoi midis kundërshtarësh shqiptarë, tashmë në një vend pa okupatorë të huaj. Ndonëse edhe këtu, komunistët koleksionuan shumë “dëshmorë” dhe “tradhtarë”, por kurrsesi nuk përmendën dhe as përfshinë viktimat e vërteta të luftës së klasave.
Duke shprehur nderimin dhe dhimbjen e thellë për “dëshmorët e njimendtë” dhe “viktimat e pafajshme” gjatë LDB, shpreh gjithashtu keqardhjen e justifikuar që, kurrë, as atëkohë dhe madje as sot, shqiptarët nuk kanë mundur të evidentojnë nominalisht personat që bëjnë pjesë në këto grupime. Çka do të ishte një rivlerësim dhe mirënjohje e kombit për këta të rënë fatkeqë, me armë në dorë apo si të pafajshëm të viktimizuar, që gjithsesi humbën tragjikisht jetën, e cila jepet vetëm njëherë dhe është kaq e vyer për një komb të vogël, bijtë e të cilit u sakrifikuan si martirë të vërtetë në altarin e shenjtë të atdheut.
Nisur nga ky koncepsion që më lehtëson klasifikimin e të vrarëve, e kam të lehtë të cilësoj se cilët janë dëshmorët e vërtetë, viktimat... si dhe kriteret respektive që kushtëzojnë nënndarjet, për të qenë shpirtërisht i lehtësuar në këtë debat shterp që vazhdon prej dy dekadash. Ndonëse, jo më larg se 10 dhe 8 vjet më parë, humbëm afro 30 mijë bashkëkombas: 1-gjatë rebelimit të vitit 1997 dhe; 2-gjatë gjenocidit serb në Kosovë, në vitin 1999. Çka do të ishte e mjaftueshme për të mos i dëgjuar më vonë, pas 5-6 dekadash, ankesat me “dëshmorë të cilëve u duhen njohur meritat dhe u duhen paguar shpërblim”-gjobat, të neokomunistëve shqiptarë që bënë luftën civile gjatë LDB e pas saj, si dhe rebelimin pas 5 dekadash.
Shkurt, mendoj se duhen njohur dhe vlerësuar si “dëshmorë të atdheut” ata që u vranë me armë në dorë në luftën kundër okupatorëve të huaj, pavarësisht se gjatë bilancit të jetës së tyre, mundën apo jo, të vrasin armiq para se të vriteshin (për shembull dëshmorët e 7-8 dhe 9 prillit 1939, të vrarë me armë në dorë kundër pushtuesve fashistë).
Që këtej më rezulton se të tjerët që u vranë pa armë në dorë, pavarësisht se cilët ishin vrasësit, shqiptarë apo të huaj, nuk janë tjetër veçse viktima të pafajshme, të cilët gjithsesi e rëndojnë bilancin tragjik të jetëve të humbura nga bashkatdhetarët tanë (sikundër janë përshembull të vrarët nga gjermanët në Borovë të Kolonjës në shtator 1943, apo viktimat e vrarë nga bombardimet e avionëve anglezë në vitin 1943, në Tiranë dhe Gjirokastër).
Dhe prej këtej, nuk e kam të vështirë të fus në grupimin e “kriminelëve” të gjithë ata që, pavarësisht se mund të kenë vrarë okupatorë të huaj, nëqoftëse kanë luftuar me armë apo kanë vrarë qoftë edhe një shqiptar të vetëm gjatë LDB, pavarësisht nga bindjet. Vlerësim ky që më shtyn të mos i njoh si dëshmorë të atdheut personazhet e këtij grupimi, pavarësisht zellit të komunistëve dhe neokomunistëve shqiptarë për të na i imponuar si të tillë, me çdo kusht.
Që këtej më rezultojnë “viktima” të gjithë ata që u vranë, me apo pa armë në dorë nga vetë shqiptarët, pas 29 nëntorit 1944, pavarësisht nga kontributet atdhetare të tyre në luftë kundër okupatorit gjatë LDB, nga e cila kuptohet se ata dolën gjallë, por që e humbën jetën më pas (sikundër janë për shembull të mbyturit nëpër kampet e përqëndrimit, nëpër birucat e Sigurimit të Shtetit, apo të vrarët me dhe pa gjyq, e deri tek ata në luftën midis “Reparteve të Mbrojtjes së Popullit” dhe “diversantëve të bandave në shërbim të imperialistëve angloamerikanë”.
Sipas këtyre ndarjeve dhe kritereve respektive, nuk është e vështirë të kuptohet se, sipas meje, numri i dëshmorëve të njimendtë të rënë për atdheun gjatë LDB, është mjaft i vogël, i papërfillshëm.
Pra kurrsesi nuk mund të nderohen sot si “dëshmorë të atdheut”, vrasësit e bashkatdhetarëve. Sepse po të ndiqnim kriteret që ekzistojnë aktualisht dhe që na janë imponuar nga komunistët gjatë diktaturës dhe deri më sot në pluralizëm, atëherë, pavarësisht motivacionit të justifikimit, do të detyroheshim të quanim të tillë, pra si “dëshmorë të atdheut”, të gjithë ata që luftuan për të “çliruar atdheun nga bashkatdhetarët shqiptarë”. Gjë që na e kanë bërë ndër shekuj vetëm armiqtë pushtues historikë..., çka do t’i barazonte “dëshmorët” tanë me karofillakët e andartët e Spiro Milos dhe Napoleon Zervës, apo me çetnikët e Drazhe Mihajlloviçit, “tigrat e Arkanit” dhe banditët paramilitarë e militarë të Sllobos dhe Nebojsha Pavlloviçit, të cilët nuk bënë tjetër veçse “çliruan” trojet etnike shqiptare nga shqiptarët.
Sipas këtyre kritereve, më rezulton që të mos jenë dhe të mos njihen si dëshmorë, as të rënët e pafajshëm deri në ditën e sotme..., pra as ata të 2 Prillit 1991, apo policët e pafajshëm të rënë në krye të detyrës..., thjesht për faktin se këta martirë të pafajshëm janë vrarë nga plumbat e shqiptarëve.
Këta, në bazë të meritave në gjallje, mund të vlerësohen “martirë të atdheut” apo “martirë të demokracisë”, dhe rrjedhimisht mendoj se e meritojnë vlerësimin moral apo pensionet për fëmijët dhe shpërblime të tjera, sipas ligjeve dhe akteve nënligjore.
Por komunistët gjatë diktaturës, na imponuan si dëshmorë edhe ata që vdiqën në shtëpi nga sëmundjet, apo të tjerë që humbën jetën tragjikisht nëpër aksionet e rinisë, nga shkaqe thellësisht aksidentale, apo në mbrojtje të pasurisë shtetërore të mbarë shqiptarëve.
Në këtë kuptim, duke vlerësuar rast pas rasti çdo “dëshmor” aktual, shteti nuk e ka të vështirë të bëjë pastrimin e “varrezave të dëshmorëve” nga ata që nuk e meritojnë të quhen dhe të nderohen si të tillë. Madje duhet ta fillojë ta bëjë këtë që nga “Varrezat e Dëshmorëve të Kombit” në Tiranë, çka do të lehtësonte nga përgjegjësia morale edhe ata psudodjathtistë që nuk i zë gjumi po nuk nderuan në shumicë “vrasësit e bashkatdhetarëve”, të përzier në të njëjtën varrezë me të paktët dëshmorë të vërtetë të atdheut.
Ndryshe, jo vetëm që do të nderojmë vrasësit bashkatdhetarë, (sivëllezër këta të xhelatëve jo shqiptarë, çka edhe e kemi bërë deri më sot), por do të vazhdojmë t’u paguajmë haraç edhe për antishqiptarinë gjatë së cilës këta qafirë “çliruan” Shqipërinë nga shqiptarët, sikundër bënë komunistët tanë gjatë LDB. Dhe ky është krim dhe mallkim i rëndë, i pamerituar.
Gjithsesi, sot është e turpshme dhe e padrejtë që shteti të vazhdojë të japë shpërblime dëshmorllëku për familjarët e të shpallurve si dëshmorë para fillimit të demokracisë në dhjetor 1990, qofshin këta edhe “dëshmorët e njimendtë të LDB”. Sepse kësisoj përfitojnë nip-stërnipat që nuk u janë vrarë prindërit dhe që janë në moshë madhore. Dhe kjo është tallje me konceptin “dëshmor” dhe me shqiptarët e varfër..., gjë që duhet të marrë fund sa më parë.
 Nga Astrit Kola

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›