Rama refuzon çdo lloj bashkëjetese me Nanon, gati formalizimi i grupimit të ri politik
Grupet rivale në Partinë Socialiste e kanë të pamundur paqen. Kryesocialisti Rama përjashtoi dje çdo lloj formul e bashkëjetese me parardhësin e tij Fatos Nano. “Unë jam i vendosur ta udhëheq PS-në në rrugën e re që tani më është e qartë për të gjithë dhe ku tanimë është e qartë, që është një rrugë pjesë e së cilës nuk mund të jenë as Sali Berisha dhe as Fatos Nano” - iu përgjigj Rama pyetjes mbi promemorien që një grup deputetësh të cilësuar si rebelë kanë depozituar prej kohësh në Kryesinë Socialiste e që tashmë kërkon që të merret parasysh edhe nga Asambleja Kombëtare. Dokumenti që radhit një sërë defektesh, gabimesh dhe manipulimesh në PS, tenton që ti t'i japë drejtuesve të PS-së një mundësi dialogimi para se ata të marrin një vendim i cili mund të jetë edhe krijimi i një force të re politike. Fryma që përshkon këtë promemorie është bashkimi dhe gjithëpërfshirja e të gjitha vlerave të PS-së, duke nisur nga vendimi për legalizimin e fraksioneve në strukturat e partisë më të madhe të opozitës. Miratimi i kësaj rezolute do të kërkonte anulimin e të gjitha vendimeve të marra në kongresin e fundit të PS-së dhe injorimin e rezultatit të zgjedhjeve të brendshme në PS. “I kërkojmë Asamblesë rishikimin e statutit për të garantuar një demokraci gjithëpërfshirëse, mendimin ndryshe, legjitimitet zgjedhor, eliminimin e centralizmit dhe kthimin e pushtetit vendimmarrës në strukturat e gjera të partise. Në zgjedhjet e përgjithshme që u zhvilluan në PS në pranverën e këtij viti, janë vërejtur deformime të mëdha. Kërkojmë korrigjim organizativ në të gjitha strukturat, ku vendimmarrja zgjedhore është deformuar për shkak të listave fiktive të anëtarësisë dhe proceseve të manipuluara të votimit e numërimit të votave duke përfshirë edhe kongresin e fundit zgjedhor”, thuhet në promemorien e deputetëve. Gjithashtu ata kërkojnë rikthim të legjitimitetit të forumeve pranë PS-së, forumit të gruas dhe forumit rinor eurosocialist, por dhe rishikim nga pozita, më transparente marrëdhëniet me aleatët e spektrit të majtë. Në dokumentin e tyre, deputetët socialistë vërejnë defekte të rënda në mënyrën se si po drejtohet PS-ja, duke e konsideruar të rrezikshëm centralizimin e pushtetit të kryetarit të saj. Deputetët socialistë që mbështetin promemorien vërejnë me shqetësim se kryetari aktual i PS-së ka përqendruar në duart e tij të gjitha kompetencat vendimmarrëse, por ka gjithashtu edhe një mungesë të frymës opozitare të kreut socialist, për shkak të konfliktit të qenies së tij në pushtet si kryetar i Bashkisë së Tiranës. Ata akuzojnë Edi Ramën se ka ndërtuar marrëdhëniet me partitë aleate mbi bazën e raporteve personale, që nuk janë në favor të PS-së. Por mbi të gjitha ata akuzojnë Ramën për shtimin e frymës përjashtuese në forumet drejtuese të partisë dhe në grupin e saj parlamentar, për kufizimin e dukshëm të mendimit ndryshe, me pasojë rritjen e indiferentizmit politik, mungesën e llogaridhënies politike në të gjitha nivelet e drejtimit të PS, por dhe për korrupsionin zgjedhor dhe organizativ në përgatitjen, menaxhimin dhe rezultatet e kongresit të fundit zgjedhor. Vetëm pak kohë më parë ish-kryetari i grupit parlamentar socialist, Ben Blushi, në mbledhjen e fundit të Asamblesë Kombëtare, paraqiti një platformë të ngjashme bashkimi të të gjithë socialistëve dhe largimin e frymës përjashtuese e cila pas debatesh të shumta nuk u zbatua. Qëndrimi i prerë i Ramës do të bëjë që Asambleja Kombëtare që sipas propozimit të kryesocisalistit do të mblidhet për herë të parë prej krijimit të saj në qytetin e Shkodrës ditën e shtunë e dominuar nga mbështetësit e linjës së re politike, të hedhin poshtë propozimin e nanoistëve. Këtyre të fundit nuk u mbetet gjë tjetër veçse të shikojnë mundësinë e krijimit sa më parë të formacionit të ri politik në gjirin e së majtës shqiptare.
Re. Po