Kryeministri kërkon përshpejtimin e projekteve për prodhimin e energjisë nga dielli dhe centralet nukleare
Nën drejtimin e Kryeministrit Sali Berisha, u zhvillua dje mbledhja e Komitetit të Planifikimit të Strategjive, ku u prezantuan draft dokumentet e strategjive të dy sektorëve të rëndësishëm, atij të energjisë dhe arsimit. Strategjia sektoriale e energjisë është një përditësim i “Strategjisë Kombëtare të Energjisë” për periudhën 2006-2020, në mbështetje të vendimit të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e Strategjisë Kombëtare të Energjisë”. Kjo strategji bazohet në angazhimet e ndërmarra nga qeveria në kuadrin e MSA-së, në zhvillimet e fundit të sektorit të energjisë, sipas direktivave për sektorin e energjisë të BE-së, si dhe në detyrimet që dalin nga Traktati i Komunitetit të Energjisë të Vendeve të Europës Juglindore. Duke vlerësuar strategjinë sektoriale të energjisë tejet të rëndësishme për zhvillimin e vendit, Kryeministri Berisha kërkoi ndër të tjera përshpejtimin e zbatimit të projekteve për prodhimin e energjisë nga burime të tjera johidrike. Në këtë kontekst, Kryeministri theksoi se është e domosdoshme që në strategji të përfshihet shfrytëzimi i energjisë diellore, duke u bazuar në modelin e vendeve të tjera, të cilat e përdorin këtë energji. Gjithashtu, zoti Berisha theksoi se energjia bërthamore do të konsiderohet si një burim tjetër alternativ dhe i shpejtë i energjisë. Duke vënë në dukje se shfrytëzimi i këtyre burimeve ruan mjedisin, Kryeministri theksoi gjithashtu se në strategji do të merret në konsideratë mënyra e përftimit të energjisë nga përpunimi i mbetjeve solide. Për sa i përket strategjisë sektoriale të arsimit, Kryeministri tha se është i domosdoshëm fokusimi në fuqizimin e arsimit privat, si një faktor shumë i rëndësishëm i reformimit dhe zhvillimit të sistemit arsimor në Shqipëri. Ndër të tjera, Kryeministri Berisha kërkoi ndërmarrjen e objektivave më konkrete për t’i ardhur në ndihmë zhvillimit të arsimit në zonat e vështira të vendit, si dhe ndërmarrjen e masave për nxitjen e tij në shtresa të caktuara të shoqërisë, si atë rome. Kryeministri Berisha shtroi si domosdoshmëri përcaktimin objektivave konkrete për realizimin e investimeve në këtë sektor. Në mënyrë të veçantë, Kryeministri u ndal në rëndësinë që ka kualifikimi i stafit mësimdhënës, me metoda moderne dhe bashkëkohore, për një shërbim sa më cilësor ndaj nxënësve dhe studentëve, duke kërkuar hartimin e planeve konkrete në këtë drejtim.