E Diel, 1 Nëntor 2026

Ilir Rusmali: PD shpreson se në fund do të arrihet një kompromis për reformën zgjedhore

Këto ditë kanë ardhur disa propozime nga disa parti për ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe bie në sy propozimi i LSI për proporcionalin e pastër, pavarësisht se nuk evidentohet pragu elektoral. Cili është opinioni juaj si bashkëkryetar?
Padiskutim, do ta quaja një propozim interesant, edhe pse është një propozim që implikon rikthimin e komisionit në një fazë të hershme të punës. Ne, si komision, kemi arritur të identifikojmë dy modele ku duhej të përqëndrohej analiza jonë. Proporcionali i pastër, i propozuar së fundmi nga LSI nuk bën pjesë në këto dy modele, megjithate unë besoj se ia vlen të merret seriozisht në konsideratë. Sigurisht, detajet do të jenë ato që do të përcaktojnë qëndrimin e të gjitha paleve rreth propozimit të LSI-së. Pragu është kryesori midis këtyre detajeve. Unë nuk mund të paragjykoj dot qëndrimin që do të mbajë komisioni, nuk mund të them dot, nëse do të jetë ky modeli që do t’i propozohet parlamentit, por besoj se është një model që duhet të merret seriozisht në konsideratë.

Kur thuhet proporcional i pastër, mund të thuhet edhe rritje e pragut elektoral, apo jo?
Modelet e proporcionalit të pastër si rregull kanë një prag të lartë elektoral, por kjo është një gjë, që në rradhë të parë, duhet t’u lihet nismëtarëve të shprehen dhe pastaj përfaqësuesve të partive të tjera politike që të reagojne ndaj tij; preferojnë një model të pastër proporcional, që do të thotë një model proporcionali me shkallë kombëtare ndryshe nga proporcionali rajonal, që mbështetet nga parti të tjera apo modelin e kombinuar, që mbështetet nga një pjesë e partive të tjera të vogla.
Ndërkohe që ju gjykoni propozime të ardhura nga partitë e tjera, vetë Partia Demokratike nuk ka dhënë asnjë variant sesi ajo e do modelin e ri zgjedhor apo qoftë edhe për të mbrojtur sistemin aktual…
Partia Demokratike ka treguar koherencë të plotë në qëndrimin e vet dhe ne si përfaqësues të saj në komisionin e reformës zgjedhore e kemi reflektuar me besnikëri këtë qëndrim. Partia Demokratike ka thënë se nuk do të marrë nisma lidhur me sistemin zgjedhor, sepse është më e prirur drejt kompromisit, drejt konsensusit me opozitën për sistemin zgjedhor. Është një çështje që prek me shumë opoziten, e bën më të ndjeshme atë dhe ne duam t’i lemë opozitës mundësinë që të koncentrojë ajo përzgjedhjen e vet lidhur me sistemin, dhe pastaj ne mund të shprehemi për të.

Kur thoni opozitë, keni parasysh Partinë Socialiste apo edhe partitë e tjera?
Në radhë të parë Partinë Socialiste, sepse është pjesa më e madhe e opozitës numerike dhe në përfaqësim, por edhe partitë e tjera pse jo. Ne duam të realizojme apo të paktën të tentojmë, një konsensus sa më të lartë lidhur me çështjet e reformës zgjedhore dhe me çështjet e sistemit zgjedhor në mënyrë të veçantë. Sigurisht, nuk jemi të sigurtë, nëse do ta realizojmë këtë gjë. Politika shqiptare zhvillohet sipas asaj tradite, që ka konsoliduar deri tani dhe kjo traditë është e tillë që ka ulje-ngritjet e veta, ka konsesusin, por ka edhe antagonizmin e madh. Megjithatë, ne jemi të vendosur që ta provojmë deri në fund, për aq kohë dhe mundësi që kemi për të provuar kompromisn. Sigurisht që kemi axhende, kemi afate, afate këto që na kushtëzojnë në qëndrimin tonë deri në fund, por përpjekja jonë maksimale, e sinqertë dhe serioze do të jetë gjatë gjithë kësaj periudhe edhe në komisionin e reformës zgjedhore për të realizuar kompromis, për të realizuar konsensus.

Në fakt edhe homologu juaj në komision, zoti Islami flet për afate. Ai thotë se duhet të ketë një rezultat konkret deri në Samitin e Bukureshtit në Prill 2008. Mendoni që ky është një vleresim realist dhe a jeni të gatshëm apo në gjendje ta bëni këtë?
Është një shqetesim serioz i zotit Islami, shqetesim më shumë individual do të thoja, sepse nuk kam parë të njëjtin intensitet të shprehjes se shqetësimit nga lidershipi i Partisë Socialiste, por është një shqetësim që duhet të jetë në vemendjen e të gjithë anëtarëve të komisionit, të lidershipit të të gjitha partive. Ne duhet të provojmë se ne arrijmë të prodhojmë reformë, sepse reforma zgjedhore është prioritare në të gjithë rrafshin e reformave që në po përpiqemi të realizojmë gjatë gjithë kësaj qeverisjeje.

Meqë reforma është kaq prioritare, mendoni se është me vend një takim mes Berishës dhe Ramës për të gjetur një kompromis politik dhe çështjet të teknike t’i zgjidhni ju në komision?
Asgjë nuk është e përjashtuar. Asnjë mekanizëm apo mjet negociimi nuk është i përjashtuar në këtë proces. Por për sa kohë parlamenti ia ka ngarkuar çështjen e reformës komisionit të reformës zgjedhore, nuk besoj se jemi ende në momentin që lidershipi politik apo faktorë të jashtëm të ndërhyjnë në këtë proces. Komisioni i reformës zgjedhore nuk është komision që zgjidh teknikalitete, është komision që zgjidh reformën, dhe reforma nuk është vetëm teknikalitet. Sigurisht, në rast se do të ketë, eventualisht, momente bllokimi, do të ketë pamundësi apo paaftësi të komisionit për të zhbllokuar situata, do të ketë nevojë edhe për ndërhyrje të faktorit të rëndësishëm politik. Por ne nuk jemi ende në këtë fazë. Ne jemi në fazën e një konsultimi intensiv, në fazën e pjekjes së opinioneve politike lidhur me sistemet zgjedhore që duhet të përzgjedhim për vitet në vijim. Së paku, rasti i LSI-së tregon se kjo fazë nuk është ezauruar ende, pasi ajo deri dje mbështeste një sistem tjeter. Kjo tregon se partite politike ende nuk janë të gatshme të thonë me vendosmëri dhe qartësi qendrimin e tyre rreth sistemeve. Nuk besoj se është momenti që lidershipi politik të përfshihet në një proces, që në fakt, ende nuk duhet t’i përfshijë ata.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›