E Diel, 1 Nëntor 2026

Korbat stalinistë, protestë në errësirë, për të fshehur një të majtë të braktisur

Partia Socialiste, duke vazhduar në mënyrë të rrjedhshme dhe të pandashme nga e kaluara diktatoriale komuniste që përjetuan vendet e Evropës Juglindore, sot përkujton me anë të një proteste në Tiranë, ditëlindjen e Stalinit, ish udhëheqësit komunist të BS-së. Në këtë drejtim, Kreu i socialistëve Edi Rama, gjatë një komunikimi me përfaqësues të medias, është ndeshur përballë një fakti gjë që e ka pranuar edhe vetë, se protesta e sotme kundër qeverisë, është pa ide të qarta, pa orientim dhe pa strategji. Kësisoj, kjo nuk është gjë tjetër vecse një demagogji brutale e lidershipit socialist, për të provokuar popullsisë në masë se në ç’raport qëndron programi ylberist me atë të paraardhësit të tij. Me këtë, Edvini po synon që me anë të një forme diktimi, sic është kjo protestë e ditës së sotme, të propagandojë atë politikë që ai e quan të re. Njëkohësisht me këtë, Edvini do të përkujtojë edhe ditëlindjen e një prej idhujve të tij komunistë, Stalinit. Ndonëse do të demonstrojë idenë demagoge të politikës së re, ku askush nuk e ka të qartë se ç’është ky term, e duke hedhur poshtë të gjithë punën e deritanishme të qeverisë aktuale, në të gjitha aspektet e zhvillimit të vendit, në realizimin e reformave të mëdha, si parakushte të integrimit në NATO dhe BE, ylberisti po përpiqe të ngrejë në këmbë në mënyrë të gabuar ndonëse demokratike në pamje të parë. Gjithsesi i gjithë opinioni publik është në gjendje të konceptojë se cili është roli i PS-së, në realizimin e reformave dhe bllokadën që ka bërë në reformimin e sistemit të drejtësisë. Reformë e cila do të sillte luftë të hapur dhe të drejtpërdrejtë të korrupsionit dhe krimit që ka zënë vend që nga koha e qeverisë socialiste. Lidhur me protestën e sotme Rama theksoi se “kultura demokratike dhe politika e re si një instrument për të krijuar një kulturë solide e demokratike e sheh dhe nënkupton protestën qytetare si një shfaqje të qytetarisë, që është refuzim ndaj pengesave të ngritura artificialisht në rrugën e zhvillimit dhe mirëqenies”. “Për shkak se artificialisht jetojmë nën një diktaturë të korrupsionit dhe në një hapësirë privimesh të panumërta. Nuk janë kushtet objektive, por janë subjektive që krijojnë këtë kontekst dhe ndaj këtyre kushteve qytetarët duhet të shprehin refuzimin. Kjo nuk ka të bëjë me afate dhe objektiva të pjesshme, por me vetëdijen qytetare”, deklaroi ai. Sipas tij, gjatë të gjitha këtyre ditëve janë zhvilluar protesta në të gjitha qendrat urbane të Shqipërisë. “Është një mënyrë për të treguar se si po mbyllet ky vit. Njëkohësisht për të treguar se si dëshirojmë të jenë vitet e tjera. Protestat nuk janë as qëllim në vetvete, as instrumente ekskluziv, janë pjesë e të qenit qytetarë të një opozite dhe të një Partie Socialiste që është në rrugën e një vetëtransformimi të madh dhe të plazmimit të një politike të re”, shtoi më tej. Duke këmbëngulur se mbart me vete një politikë të re dhe që do ta shpëtojë Shqipërinë, por që në vetvete nuk është gjë tjetër veçse demagoge dhe fobi e Edvinit, për të vënë në lojë shtresat në nevojë të shoqërisë Shqiptare, ashtu sic bëri me turin e tij nëpër zonat rurale, me logon “Dialog me Shqipërië”, sot ai do të bëjë të njëjtën gjë, do të diktojë se ç’pjesë e popullisë do të bjerë pre e politikës abuzive. “Unë besoj se çdo qytetare dhe qytetar i këtij vendi që dëshiron të ndërtojë të ardhmen e vet dhe të familjes së vet, rrugën e fëmijëve të vet, në këtë vend, ka arsye për të qenë sot refuzues dhe protestues ndaj një politike të vjetër, pa asnjë vizion dhe pa asnjë perspektivë. Jetojmë sot 17 vjet pas shembjes së diktaturës komuniste në një diktaturë të korrupsionit, e cila pavarësisht ndërrimit të qeverive vazhdon të pengojë zhvillimin, vazhdon të pjellë qeverisje që janë tërësisht të pa imunizuara nga virusi i korrupsionit, vazhdon të lërë Shqipërinë në errësirë, në etje. Qytetarët nuk kanë ujë të pijshëm dhe tokat thahen nga mungesa e ujit, edhe pse jemi një nga vendet me burime ujore më të pasura në Evropë, për të mos thënë më i pasuri. Vazhdojmë të gjitha sëmundjet kronike të një tranzicioni dështimet të njëpasnjëshme. Padyshim, kjo është qeveria më e paaftë dhe sikundër e dëshmojnë edhe anketat dhe rezultatet e publikuara nga organizma ndërkombëtare, si TI, edhe më e korruptuara në historinë e këtij tranzicioni”, tha ai. Duke vijuar më tej, Rama shtoi se “është koha për të dëshmuar edhe nëpërmjet kësaj shfaqjeje të refuzimit dhe protestës se kërkojmë një ndryshim të madh përtej të majtës dhe të djathtës, përtej kufijve të vjetër, të vendosura dhe të mbajtura nga një klasë politike e vjetër dhe e dështuar”. “Përtej paragjykimeve, të cilat i kanë ndarë shqiptarët e thjeshtë në kampe, por i ka lënë njësoj të varfër edhe socialistët edhe demokratët. I kanë lënë njësoj në errësirë edhe socialistët edhe demokratët. I kanë lënë njësoj të pambrojtur edhe socialistët edhe demokratët edhe të tjerët. Në vitin 2007 kemi rreth 50 % të fëmijëve të këtij vendi që nuk kryejnë arsimin e detyrueshëm, dhe ftojmë të refuzojmë të gjithë sëbashku një politikë arsimore që nuk ka asnjë të ardhme. Kanë arsye të refuzojnë me protestën e tyre të gjithë ata që detyrohen të blejnë me çmime marramendëse produktet bujqësore, të cilat janë disa herë më të shtrenjta se sa duhet të ishin në një treg normal bujqësor. Sigurisht që lista e arsyeve për të shfaqur refuzim dhe protestë ndaj këtij politike të vjetër të mishëruar nga një qeveri e korruptuar që drejtohet nga një kryeministër i paaftë dhe gënjeshtar janë ta pafundme, por unë do ta mbyllja duke thënë se është e udhës që çdo njeri pavarësisht bindjeve politike të mund ta shfaqë refuzimin ndaj kësaj jete që nuk është e denjë, refuzimin për t’i trashëguar fëmijëve një atdhe si ky”, vijoi ai më tej.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›