Ndryshon ligji për Akademinë - anëtarë, ata që kanë mbushur 75 vjeç
Komisioni parlamentar i Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik miratoi dje me votat e maxhorancës disa ndryshime në ligjin “Për Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë”. Këto ndryshime, që u shqyrtuan me procedurë të përshpejtuar, u kundërshtuan nga përfaqësuesit e Akademisë së Shkencave, të pranishëm në mbledhjen e sotme të komisionit. Nënkryetari i këtij institucioni, Luan Omari, tha se ndryshimet e paraqitura e thellojnë diskriminimin ndaj akademikëve dhe nuk i zgjidhin problemet e tyre. Deputetët e opozitës nga ana e
tyre nuk pranuan të jenë pjesë e debatit të djeshëm, duke kërkuar kohë
për t'u njohur me amendamentet në fjalë. Por maxhoranca në komision refuzoi shtyrjen e diskutimit, duke pohuar se ato janë parashikuar të shqyrtohen me procedurë të përshpejtuar. Pas debateve mes të dyja palëve, opozita, që nuk pranoi ta merrte në shqyrtim projektligjin, braktisi komisionin, duke mos marrë pjesë në votimin e amendamenteve, që u miratuan vetëm nga deputetët e djathtë. Ndryshimet ligjore të propozuara nga qeveria, parashikojnë rishikim të disa neneve të këtij ligji. Kështu ndryshohet neni, i cili lidhet me përbërjen e anëtarëve të Akademisë së Shkencave, neni që përcakton moshën e anëtarëve të përhershëm, (do të zgjidhen akademikë ata që kanë mbushur moshën 75 vjeç dhe kanë një kontribut të shquar brenda e jashtë vendit). Gjithashtu, ligji parashikon ndryshime edhe "për përfundimin e anëtarësisë në Akademi, mënyrën e shpërblimit të akademikëve, organizimin e kryesisë së përkohshme të këtij institucioni, Komitetin e Reformimit të Akademisë", etj. Këto ndryshime pritet të miratohen në Kuvend në seancën plenare të 26 dhjetorit