E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Piramida”, para false për seks e blerje droge

 Trazhgim Sokolaj Kanë prodhuar “një mal” me para të falsifikuara, por i kanë shpenzuar të gjitha për drogë dhe për seks. Përgjimet telefonike të 26 personave të arrestuar tri ditë më parë në Tiranë konfirmojnë “maninë” e të akuzuarve për të shpenzuar para në disa raste për të blerë drogë, për jetë nate në lokalet luksoze të kryeqytetit, si dhe për pagesa në hotelet dhe motelet e kryeqytetit. Burime nga grupi hetimor pohuan dje se shumica e personave, që kanë denoncuar të arrestuarit e aksionit “Piramida” kanë qenë pronarë lokalesh nate, hotelesh dhe motelesh. Personat e arrestuar shkonin aty dhe kryenin shpenzime të mëdha, duke paguar me para të falsifikuara, kartëmonedha 200, 500, 1 000, 2000 dhe 5000 lekëshe. Të vetmit që nuk kanë mundur të denoncojnë në polici pagesat me para false kanë qenë shpërndarësit e drogës. Sipas përgjimeve telefonike që u janë bërë të arrestuarve, që kishin në pronësi “punishten” e falsifikimit të parave, rezulton se disa prej tyre konsumonin drogë, duke e blerë atë me para të falsifikuara. Shpërndarësit e lëndës narkotike gjithsesi, nuk kanë munduar të paraqesin në polici kartëmonedhat false, pasi do të zbulohej edhe veprimtaria e tyre. Ndërkohë, pronarë lokalesh, hotelesh e motelesh janë paraqitur vazhdimisht në policinë e Tiranë, duke dorëzuar kartëmonedhat false, që u kishin ngecur të arrestuarit e operacionit “Piramida”. Ata kalonin natën dhe më pas paguanin me kartëmonedha të falsifikuara. Sipas hetimeve të policisë, rezulton se pjesa kryesore e parave të falsifikuara është shpenzuar në këtë mënyrë. Policia kishte gjashtë muaj që kryente hetime ndaj grupit me 26 persona, që qarkullonte kartëmonedha false në thuajse gjithë qytetet e vendit. Ata kishin dubluar pesë elementë sigurie të kartëmonedhave, ndërkohë “gjuanin” edhe njerëzit ku mund t’i përdornin ato. Shumica e parave janë përdorur në lokalet e natës, që frekuentonin të arrestuarit, si dhe në motele të ndryshme. Gjatë periudhës 6-mujore të hetimit në polici janë paraqitur mbi 100 denoncime. Pronarët hotelesh e motelesh denonconin duke treguar edhe emrat e klientëve që kishin bërë pagesat me kartëmonedha që ishin pranuar fillimisht, por që më pas kishin dalë të falsifikuara. Prokuroria e Tiranës ka hetuar nëse të arrestuarit kanë ngritur ndonjë aktivitet biznesi apo kanë krijuar prona me paratë false, por të gjithë ata kanë rezultuar “të varfër” pasi nuk kanë në pronësi asnjë objekt apo aktivitet biznesi. Hetuesit thanë se katër kompjuterët dhe makineritë që përdoreshin për falsifikimet ishin blerë në Itali. Këto pajisje kishin një teknologji të avancuar, që ndihmonte në falsifikimin e kartëmonedhave përfshi prerjen 2 mijë lekëshe të nxjerrë së fundi në qarkullim nga Banka e Shqipërisë. Të arrestuar1. Altin Lala2. Besnik Gaci3. Avdi Gjika4. Sali Prendi5. Dritan Elezaj6. A.C., 16 vjeç7. Bilbil Sefa8. Dëfrim Mata9. Anila Kodra10. Roland Skuqi11. Altin Murani12. Arben Seferi13. Astrit Seferi14. Aristogon Pashka15. Artur Pashka16. Eduart Pashka17. Shpetim Mataj18. Artan Halilaj19. Alfren Bushgjokaj20. Xhevahir Koldashi21. Gazmend Cerpja22. Ahmet Meçi23. Muhamed Murrani24. E. D., 17 vjeç25. E.I., 17 vjeç

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›