E Shtunë, 31 Tetor 2026

Imuniteti i deputetit?! Një nen i vetëm

Bujar Leskaj

Të dhënat më të fundit të sondazhit të Institutit për Kërkime dhe Alternativa Zhvillimi të miratuara nga USAID-i, Agjencia e Shteteve të Bashkuara të Zhvillimit Ndërkombëtarë, përsa i përket institucioneve të Parlamentit (me 39.5 pikë) apo partive politike (me 31.9 pikë), [nga 100 pikë vlerësimi maksimal – shumë besim], tregojnë që besimi i qytetarëve tek institucionet vazhdon të mbetet i ulët.
Këto rezultate kthejnë edhe një herë, por tashmë të shumëfishuar  në optikën qytetare një kërkesë të drejtë të opinionit publik, përsa i përket problemit të imunitetit të veçantë që gëzojnë elemente të caktuara të shoqërisë shqiptare, të zgjedhur apo të emëruar, partiak apo jopartiakë, në legjislativ, ekzekutiv e gjyqësor. Në këtë shkrim do të fokusohem në problemin e imunitetit të deputetëve të kësaj legjislature, e në tërësi të imunitetit të deputetit si pararendës për zgjidhjen e një morie problemesh. Sot më shumë se kurrë vendosja e një standardi të qartë dhe të zbatueshëm, të lehtësuar nga pasojat e qëllimshme apo jo të imunitetit politik, është një element thelbësor në zhvillimin social, politik dhe ekonomik të vendit, i cili do të jetë përcaktues veçanërisht në fushatën kombëtare kundër korrupsionit, që tashmë ka përfshirë vendin tonë, duan apo s’duan politikanët, të vjetër e të rinj, të majtë, të djathtë e të qendrës. Problemi tashmë është në skakierën jo vetëm politike, por kombëtare mbi të gjitha, për zgjidhje dhe kërkon nga ne, deputetët aktual, nëse do të bëhemi pjesë e zgjidhjes politike duke vlerësuar ata që na kanë zgjedhur, vetveten, moralin e më gjerë apo do të vazhdojmë të zvarritemi si deri më sot, si pjesë gangrenizuese e këtij problemi.
Imuniteti politik i deputetëve, i parlamentit shqiptar sot në kuadrin e zhvillimit ekonomik e shoqëror të vendit, tashmë shihet qartë se është anakronik, jopozitiv dhe në kundërshtim me parimet  themelore të Kushtetutës dhe barazisë para ligjit. Ky imunitet që ne vazhdojmë ta mbajmë, të kujton maksimën e njohur Orëelliane të shprehur te “Ferma e kafshëve” se, “të gjitha kafshët janë të barabarta, por disa kafshë janë më të barabarta se të tjerat”.
Një sondazh ndërkombëtar i para disa viteve i “Gallup International”, aktual për ne, shqiptarët sot, jepte se 63% e vlerësonin imunitetit ndaj ndjekjes penale të zyrtarëve  parlamentarë e shtetërorë si shkakun kryesor të rritjes së korrupsionit në vendin e tyre, duke theksuar irritimin për faktin se politikanët e dyshuar për korrupsion shpesh gëzojnë imunitet nga krime të tilla si, ryshfetet politike, skandalet për konflikte interesash dhe korrupsioni. Ky sondazh ndërkombëtar për vende demokratike e properëndimore s’ka nevojë për koment, se sa aktual e domethënës është për ne, klasën politike shqiptare.
Imuniteti për deputetin dihet që është një formë e vjetër sa vetë politika, si një mjet për mbrojtjen e figurave të larta shtetërore dhe gjykatësve. Por debati për këtë problem në kohë ka njohur mendime nga më të ndryshmet. Në thelb imuniteti njeh dy kategori ose parime:
- parimi i mospërgjegjësisë ose i mosmbajtjes përgjegjësi për fjalën e thënë (shprehur në Parlament e debate politike). Kjo është mbrojtja e parë bazë që u jepet politikanëve dhe i referohet pra kryesisht atyre.
- parimi i paprekshmërisë (pacënueshmëria), që i referohet një mbrojtjeje më të gjerë e elastike, që e imunizon, mbron deputetin për të mos u vëzhguar, hetuar apo arrestuar (në rast se ka të dhëna për shkelje ligji).
Parimi i parë, ai i mospërgjegjësisë apo mosmbajtjes përgjegjësi për fjalën dhe mendimet e shprehura, i referohet votimit dhe deklarimeve apo qëndrimeve të tjera zyrtare në të cilat duhet të mbrohen interesat e njerëzve që përfaqësojnë parlamentin, duke u lidhur ngushtë me parimin e moskushtëzimit të lirisë së fjalës ai bazohet në mirëkuptimin e pashpallur që akuzat apo deklaratat të pabazuara, shpifëse do të reduktohen në minimum. Ky parim përgjithësisht është absolut. Por elementë të këtij parimi përgjithësisht janë të çimentuara tashmë në realitetin shqiptar, falë të tjerave edhe guximit, analizës, mprehtësisë të një sërë gazetash, analistësh, opinionistësh apo politikanësh të rinj tashmë në partitë politike pa imunitetin e deputetit, por me energjinë që të jep fjala e lirë, e mençur dhe analitike. Aty ku shkelet e drejta për lirinë e fjalës, vetë institucioni i ka në dorë rregullat e përgjegjësitë ligjore për të pezulluar përkohësisht një parlamentar në rast shkelje (më gjerë këto shkruhen në Rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë).
Në dallim nga parimi të mosmbajtjes së përgjegjësisë apo i lirisë së fjalës, i cili është gjerësisht i pranuarka ngjallur polemika, parimi tjetër, parimi i dytë ai i paprekshmërisë (pacënueshmërisë) apo i ekzagjerimit në të drejta është mjaft kundërshtues në ditët e sotme dhe varet gjerësisht nga mjedisi dhe kornizat politike. Në disa vende debatet kanë çuar në reformimin e procedurave ligjore dhe në ndryshimin e politikave që ndjekin legjislaturat parlamentare, pra thënë ndryshe vihen kufizime në shkallën e paprekshmërisë.
Përgjithësisht imuniteti i politikanëve synon të krijojë tre kushte për ta:
Së pari: ai siguron se deputeti mund të shprehet pa pasur frikën e sanksioneve civile, penale apo cenon reputacionin për të.
Së dyti: imuniteti mbron deputetin nga ndalimi arbitrar që mund t’i pengojë ata të marrin pjesë në mbledhjet e Kuvendit.
Së treti: imuniteti shërben si mburojë ndaj ndjekjes penale, keqdashëse për arsye politike.
Duke qenë se klima në vendin tonë ka vite që është demokratike, shteti ligjor është i konsoliduar dhe për faktin se, kategori të tjera (opinionistë, gazetarë, shoqëri civile etj.) janë mjaft aktivë në krahasim edhe me parlamentarët, pa pasur imunitetin e deputetit për ta, këto kushte bien (rrëzohen qartë). Pra, imuniteti i politikanëve duhet të shihet si i dhënë për të mbajtur dhe avancuar procesin demokratik dhe jo për të forcuar një klasë individësh politikanë që të qëndrojnë mbi dhe përtej ligjit.
Sot më shumë se kurrë bëhet imediate shkurtimi i teprimeve dhe shkeljeve që lidhen me imunitetin politik, reduktimi i tyre, pse jo edhe zerimi si një nismë që do të rikthejë besimin te politikanët shqiptarë dhe produkti (politika) që ata prodhojnë. Ne deputetët e Parlamentit shqiptar duhet të reduktojmë përmes ligjit imunitetin e deputetit duke përkrahur, votuar projektligjin e paraqitur nga PD-ja dhe Kryeministri Sali Berisha, për këtë qëllim kohë më parë. Kjo do të tregojë besim në kapacitetin objektiv të institucioneve kushtetuese gjyqësore në Shqipëri dhe një nivel të lartë të vullnetit politik të deputetëve e Parlamentit, në favor të përgjegjësisë e barazisë. Eshtë thelbësore që imunitetet dhe privilegjet të përcaktohen qartë dhe asnjëherë të mos shkojnë tej parimit të barazisë para ligjit. Ne duhet të ndjekim shembullin e vendeve të tilla si p.sh. Holanda (ku politikanët nuk gëzojnë paprekshmëri parlamentare të çdo lloji), Britania (gëzojnë imunitet vetëm nga arrestimi për çështje civile), Suedia (imuniteti të mbulon vetëm ato krime të dënueshme vetëm me dy vjet burg), apo Finlanda (vetëm gjashtë muaj) etj., etj.
Personalisht, si deputet i Vlorës, në optikën time të detyrimeve, të drejtave e realitetit shqiptar, ne duhet të miratojmë një ligj kushtetues për rishikimin thelbësor të imunitetit të deputetit të përbërë nga një nen dhe vetëm një, atë që konfirmon se: “Deputetët shqiptarë gëzojnë ato të drejta e privilegje, dhe vetëm ato, që gëzojnë të gjithë shtetasit në Republikën e Shqipërisë”. Ky ligj eksplicit me një nen është imperativ i kohës në nder e vlerësim të zgjedhësve tanë, traditës, moralit e vetvetes, në shërbim të të sotmes dhe të ardhmes parlamentare, politike e shoqërore.
Mbasi me ligj të kemi hequr privilegjin e imunitetit për veten si deputet, duhet të shikojmë e kornizojmë atë të drejtuesve të sistemit gjyqësorë e institucioneve të pavarura kushtetuese apo zyrtarëve të tjerë të larte, duke u mbështetur njëherazi në Kushtetutën, si dokument themeltar dhe në ruajtjen e pavarësisë klasike të këtyre institucioneve (megjithatë për këto do të kem rast të shkruaj herë tjetër).

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›