E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kombëtarja ende larg stërvitjes së ngarkuar

01/06/2005  Kombëtarja shqiptare ende larg stërvitjes së ngarkuar. Një gjë e tillë është vërejtur edhe dje. Stërvitja e vetme e zhvilluar dje është karakterizuar nga pak streçing, pak shkrythje e më shumë pushim për të marrë veten nga lodhja e një sezoni të gjatë dhe miqësoren me Poloninë. Paraditja e së martës, ashtu si edhe dita paraardhëse i ka gjetur të gjithë futbollistët buzë bregut të detit. Nën drejtimin e Aksel Ros dhe mjekut Bulinger, lojtarët kanë zhvilluar vetëm vrapime të lehta në rërë, të cilat janë shoqëruar edhe me disa ushtrime të tipit streçing. Duke qenë fund sezoni Tekniku Brigel nuk ka preferuar të zhvillojë stërvitje me top, por thjesht një seancë relaksuese, e cila ka qenë edhe e vetmja për këtë ditë. Stërvitje të diferenciuar kanë zhvilluar vetëm portieri Lika dhe mesfushori Murati. Grupit prej 23 futbollistësh i ka munguar vetëm Lorik Cana, i cili pritet të mbërrijë në rezidencën e hotel “Adriatik” gjatë ditës së martë. Të mërkurën tekniku Brigel, ka planifikuar të zhvillojë edhe një ndeshje kotrolli brenda grupit, takim i cili do të zhvillohet në stadiumin “Qemal Stafa”, në orën 17:00. A. M

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›