Hasi e Murati, të gatshëm për Brigelin
01/06/2005 Pas një periudhe të gjatë dëmtimi, në gjirin e kuqezinjve rithehen edhe Besnik Hasi e Edvin Murati, të cilët pohojnë se tashmë janë plotësisht të gatshëm për teknikun gjerman, gjë të cilën e pasqyruan edhe në miqësoren ndaj Polonisë. “Më vjen që nuk munda të marrë pjesë në disa ndeshje të rëndësishme të ekipit tim përfaqësues, u shpreh dje Hasi. Dëmtimi i rëndë më la për disa kohë jashtë fushës, por ka disa javë që jam rikthyer të luaj në radhët Anderlehtit. Ndeshja miqësore me Poloninë ishte një test i rëndësishëm për gjendjen time, dhe mendoj se jam shumë pranë formës së duhur. Për sa i përket ndeshjes së të shtunës mendoj se duhet të japim maksimumin për të marrë tri pikët, jo vetëm për revanshin e humbjes në takimin e parë, por edhe sepse pikët do të jenë të rëndësishme për pozicionin e Shqipërisë në renditje përfundimtare në grup”. Po ashtu, i kënaqur ndihet edhe mesfushori tjetër i kuqezinjve, Edvin Murati. Edhe lojtari shqiptar i Iraklist ka vuajtur një dëmtim të gjatë, për shkak të të cilit rrezikoi edhe grumbullimin në Kombëtare, për dy ndeshjet e këtij fillim muaji. Megjithatë, me këmbëngulje ai arriti t’i imponojë Brigelit se gëzon një formë më të mirë. “Eshtë e vështirë të kthehesh në ekip pas një mungese të gjatë, po gjithsesi jam i kënaqur me 45 minutat e luajtura kundër Polonisë. Shpresoj që kundër Gjeorgjisë të jap maksimumin tim për të përmbushur synimin e vetëm të skuadrës sonë, që është fitorja”, nënvizoi Murati. A. Manallari